Përmbytje në vendet aziatike
BKT
Rajoni dhe Bota

Përmbytje në vendet aziatike

Bardhyl Bajrami / RTK

Vende të ndryshme aziatike po përballen me reshje të mëdha të shiut dhe me përmbytje. Në Pakistan jetën e kanë humbur të paktën 39 persona, në Afganistan 33, në Oman 17, ndërsa në Kazakistan më shumë se 110 mijë persona është dashur të evakuohen.

Disa nga personat që kanë humbur jetën janë fermerë që janë goditur nga rrufeja derisa po korrnin grurin. Përmbytjet kanë shkaktuar edhe telashe me furnizim të energjisë elektrike dhe me rrjetin e transportit.

Provinca Punjab, që ka dendësinë më të madhe të popullatës, ka numrin më të madh të viktimave, 21.

Të paktën 8 persona kanë vdekur në provincën më perëndimore të Pakistanit, Balochistan. Në këtë provincë, është urdhëruar mbyllja e shkollave për të paktën dy ditë.

Autoriteti Menaxhues për Fatkeqësitë Natyrore në Pakistan ka thënë se me shiun e parashikuar që do të bjerë ditët në vijim, ekziston rreziku I rrëshqitjeve të tokës dhe përmbytje të tjera.

Përmbytje janë raportuar edhe në Afganistan, ku të paktën 33 persona kanë vdekur ndërsa qindra shtëpi janë shkatërruar e dëmtuar.

Përmbytje kanë ndodhur edhe në Oman, ku janë raportuar 17 viktima. Autoritetet kanë pezulluar punën si në sektorin publik, edhe ashtu në atë privat, ndërsa kanë thënë se aty ku ka mundësi, të punohet nga shtëpitë.

E në Kazakistan, përmbytjet kanë bërë që shumë zona të vendit të përfshihen nga uji, ndërsa njerëzit detyrohen të evakuohen. Deri tash janë evakuuar më shumë se 110 mijë persona.

Përmbytjet në Kazakistan kanë ndodhur si pasojë e motit të nxehtë të pazakontë për këtë periudhë, që ka shkaktuar shkrirjen e borës në Malet Urale.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota