Tensionet Izrael - Iran, bëhet thirrje për qetësim të situatës
BKT
Rajoni dhe Bota

Tensionet Izrael - Iran, bëhet thirrje për qetësim të situatës

Bardhyl Bajrami /RTK

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë bërë të ditur se Izraeli gjatë natës ka sulmuar Iranin në provincën qendrore Isfahan. Banorët e kësaj province kanë dëgjuar shpërthimet, por raportohet se ato u shkatërruan nga mbrojtja kundërajrore. Sekretari amerikan Blinken, ai i OKB-së, Guteres, dhe kryediplomati evropian, Borrell, por edhe liderë të vendeve tjera, kanë bërë thirrje për qetësim të situatës.

Izraeli ka sulmuar Iranin. Kështu kanë thënë dy zyrtarë amerikanë, ndërsa Izraeli nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse ka sulmuar apo jo.

Mediet shtetërore iraniane kanë cituar burime të pakonfirmuara për shpërthime në Isfahan, provincën qendrore të Iranit. Banorët e kësaj province kanë regjistruar zërat e shpërthimeve gjatë natës, për të cilat media shtetërore ka thënë të jenë nga mbrojtja kundërajrore, që kanë goditur tre dronë.

Sekretari amerikan,  Antoni Blinken, nga Italia ku po merr pjesë në samitin e G-7-ës, i ka ripërsëritur thirrjet për qetësimin e situatës në Lindjen e Mesme.

“SHBA nuk është e përfshirë në sulmin kundër Iranit dhe po punon për qetësimin e situatës”, ka thënë Blinken.

Megjithatë, po nga Capri, ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, ka thënë se Izraeli në minutën e fundit i ka njoftuar SHBA-në për sulmin mbi Iranin.

Ndaj ngjarjeve të fundit ka reaguar edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteres, i cili, përmes zëdhënësit të vet, ka thënë se është koha e fundit për të ndaluar ciklin e rrezikshëm të kundërpërgjigjeve apo hakmarrjeve në Lindjen e Mesme. Guteres dënon çfarëdo akti të hakmarrjes dhe apelon tek komuniteti ndërkombëtar që të punojnë së bashku për ta parandaluar ndonjë zhvillim të mëtejmë që do të mund të kishte pasoja për gjithë rajonin, por edhe më gjerë.

Ndërsa kryediplomati evropian, Josep Borrell, po nga Capri, në rrjetin social ‘X’ ka shkruar se u bën thirrje gjithë aktorëve që të përmbahen.

E ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, ka thënë se ka pasur kontakte telefonike mes lidershipit të Rusisë dhe Iranit dhe përfaqësuesve rusë dhe atyre izraelitë. “Izraelit ia kemi bërë të qartë se Irani nuk dëshiron përshkallëzim të situatës”, ka thënë Lavrov.

Edhe vende tjera të botës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kinën dhe Egjiptin, Turqinë e Gjermaninë kanë bërë thirrje për qetësi.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota