Izraeli hesht për sulmin e së premtes kundër Iranit
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli hesht për sulmin e së premtes kundër Iranit

Flututra Bekqeli /RTK

Izraeli ende nuk e ka pranuar zyrtarisht se sulmi në Iran, në orët e para të mëngjesit të së premtes, ishte bërë nga ushtria e tij. Ndërkohë, liderët ushtarakë dhe politikë të Iranit kanë minimizuar se ka ndodhur ndonjë gjë me pasoja.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian, ka refuzuar të pranojë nëse Izraeli ishte i përfshirë në sulmin e së premtes, duke thënë se armët e përdorura ishin si "lodra me të cilat luajnë fëmijët tanë".

Por në një intervistë me 'NBC News', ai tha nëse Izraeli do të ndërmerrte "veprim vendimtar" kundër Iranit, përgjigja do të ishte "e menjëhershme" dhe "në maksimum".

Zyrtarët amerikanë flasin për një sulm me raketa, por zyrtarët iranianë thonë se sulmet, në provincën qendrore të Isfahanit dhe në veriperëndim të Tabrizit, u shkaktuan nga dronë të vegjël shpërthyes.

Udhëheqësit botërorë kanë përsëritur thirrjet për de-përshkallëzimin në Lindjen e Mesme, pasi zyrtarët amerikanë thanë se një raketë izraelite goditi Iranin të premten.

Izraeli thuhet se ka vënë në shënjestër një sistem radari të mbrojtjes ajrore pranë qytetit të Isfahanit, i cili mbron objektin bërthamor të Natanzit.

Kjo pason javë të tëra tensionesh midis rivalëve, pasi Izraeli ka kryer një sulm në një kompleks iranian në Siri dhe Irani nisi një sulm të paprecedentë kundër Izraelit.

Qeveria izraelite ende nuk ka komentuar zyrtarisht, por përgjigja e heshtur e Iranit ka rritur shpresat se mund të shmanget një konflikt në shkallë të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, udhëheqësit e G7 kanë shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj Izraelit që kryen një operacion ushtarak në shkallë të plotë në Rafah në jug të Gazës, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar vazhdimisht se do të kryejë një ofensivë atje.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime me Izraelin lidhur me pushtimin e tij tokësor të planifikuar në qytet, ku janë strehuar më shumë se një milion palestinezë. Shtëpia e Bardhë tha se përfaqësuesit e Netanyahut kishin rënë dakord "të merrnin parasysh këto shqetësime".


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota