Trump gjobitet 9 mijë dollarë për shkelje të urdhrit të gjykatës
VOA
Gjykatësi Juan Merchan vendosi të martën se ish-presidenti Donald Trump shkeli urdhrin e gjykatës që e ndalon të sulmojë dëshmitarët e mundshëm. Gjykatësi e gjobiti Trump-in me 9 mijë dollarë për shkelje të përsëritura të urdhrit që e ndalon atë të bëjë deklarata publike për dëshmitarët, anëtarët e jurisë dhe të tjerë të lidhur me çështjen.
Trump gjobitet 9 mijë dollarë, gjykatësi e kërcënon me burg nëse përsërit shkeljet
Nëse përsëritet shkelja e urdhrit, paralajmëroi gjykatësi, ai mund të burgoset. Prokurorët kishin pretenduar për dhjetë shkelje, por gjykatësi gjeti se ishin nëntë. Trump-i kishte ngulur sytë në tryezë, ndërsa gjykatësi e lexoi vendimin.
Kandidati republikan për president ka pohuar se ai po ushtron të drejtën e lirisë së fjalës, por vendimi i gjykatësit nxjerr në pah se Trump është i pandehur në një çështje kriminale që duhet t’i nënshtrohet realitetit të ashpër të procedurës gjyqësore.
Kërcënimi jashtëzakonshëm nga gjykatësi për të burgosur një ish-president sinjalizon rritjen e pasigurisë ligjore të Trump-it në varësi të sjelljes së tij gjatë pjesës së mbetur të gjyqit.
Gjykatësi Merchan shkroi se ai është "shumë i vetëdijshëm dhe mbrojtës" për të drejtat që gëzon ish-presidenti Trump në bazë të amendamentit të parë , "veçanërisht duke pasur parasysh kandidaturën e tij për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara".
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të drejtat legjitime të pandehurit për lirinë e fjalës të mos kufizohen, që ai të jetë në gjendje të bëjë fushatë të plotë për postin që kandidon dhe që të jetë në gjendje të përgjigjet dhe të mbrohet kundër sulmeve politike”, shkroi gjykatësi Merchan.
Megjithatë, ai paralajmëroi se gjykata nuk do të tolerojë "shkeljet me dashje të urdhrave të saj të ligjshëm dhe se, nëse është e nevojshme dhe e përshtatshme sipas rrethanave, ajo do të vendosë një dënim me burg". Deklarata e gjykatësit tregon për mundësinë që Trump-i të bëhet ish-presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që mund të shkojë në qeli.
“Ky urdhër i gjykatësit është krejtësisht jokushtetues”, tha Trump pas përfundimit të seancës, të martën, ku dëshmoi një avokat i Hollivudit, i cili ndërmjetësoi dy marrëveshje pagesash për të blerë heshtjen. "Unë jam kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara ... dhe jam në gjykatë gjatë gjithë ditës duke i dëgjuar këto gjëra”.
Trump është mësuar të ketë qasje të vazhdueshëm në mediet e tij sociale për të goditur kundërshtarët dhe për të shprehur mendimin e tij.
Pas bllokimit të llogarisë së tij në rrjetin Twitter pas trazirave të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit amerikan nga mbështetësit e tij, Trump-i krijoi platformën e tij sociale, ku postimet e tij nuk do të kufizoheshin apo bllokoheshin.
Prej kohësh ai është përpjekur të distancohet nga mesazhet e debatueshme që ka ndarë për miliona ndjekës të tij, duke këmbëngulur se ai vetëm i ka shpërndarë postimet e të tjerëve.
Vendimi i së martës në Nju Jork vjen në javën e dytë të gjyqit ndaj Trump-it nën akuzat se ka paguar para për të blerë heshtjen. Trump akuzohet se ai dhe bashkëpunëtorët e tij morën pjesë në një skemë të paligjshme për të ndikuar në fushatën presidenciale të vitit 2016, duke blerë dhe varrosur histori negative për të.
Akuza pretendon se pagesat u bënë për modelen e revistës ‘Playboy’, Karen McDougal, e cila shiti historinë e saj për lidhje intime me Trump-in, aktoren e filmave pornografik Stormy Daniels, e cila pretendon për një natë intime me ish-presidentin Trump. Ai i ka hedhur poshtë akuzat dhe thotë se të gjitha pretendimet janë gënjeshtra.
Sipas urdhrit të gjykatësit, Trump i fshiu postimet fyese nga llogaria e tij në rrjetin Truth Social dhe faqja në internet e fushatës së tij për president. Ai ka afat deri të premten që të paguajë gjobën.
Gjykatësi do të dëgjojë të enjten argumente lidhur me shkelje të tjera të supozuara të urdhrit të gjykatës. Gjykatësi Merchan njoftoi se do të ndalojë seancën gjyqësore më 17 maj për të lejuar që Trump-i të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të djalit të tij Barron, i cili përfundon shkollën e mesme.























