Presidenti kinez arrin në Francë, takohet me presidentin Macron
Dardan Ramabaja /RTK
Presidenti kinez, Xi Jinping, ka arritur në Francë, ku po takohet me homologun e tij, Emmanuel Macron dhe zyrtarë të BE-së.
Presidenti i Kinës Xi është pritur në Pallatin Elysee nga presidenti francez, Emmanual Macron. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursurla Von der Leyen, do të marrë pjesë në diskutimet trepalëshe.
Udhëheqësit do të diskutojnë për disbalancat tregtare mes Evropës dhe Kinës, si dhe luftën në Ukrainë dhe aftësinë e mundshme të Kinës për të ndikuar në Rusi.
Xi është kthyer në Evropë pas pesë vjetësh, në një kohë të tensioneve tregtare në rritje me BE-në, që po heton disa industri kineze, duke përfshirë eksportet e automjeteve elektrike, ndërsa Pekini po heton kryesisht importet franceze të rakisë.
Pabarazitë aktuale në aksesin në treg nuk janë të qëndrueshme dhe duhet të adresohen", ka thënë Von der Leyen në një deklaratë, duke e quajtur marrëdhënien e Evropës me Kinën "një nga më komplekset, por edhe një nga më të rëndësishmet".
"Evropa nuk mund të pranojë praktika të tilla shtrembëruese të tregut që mund të çojnë në de-industrializim në Evropë," ka theksuar ajo.
Në një deklaratë të lëshuar pas mbërritjes së tij në Paris, Xi vlerësoi lidhjet midis dy kombeve.
Xi tha se lidhjet midis Kinës dhe Francës ishin "një model për komunitetin ndërkombëtar të bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit të favorshëm midis vendeve me sisteme të ndryshme shoqërore".
Media shtetërore kineze u përpoq të jepte një ton pajtues në editoriale të ndryshme.
"Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar Kinë-BE është i madh dhe goditjet dhe plagët janë të pashmangshme," shkroi People's Daily, gazeta kryesore e Partisë Komuniste. "Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe koordinimin me BE-në, të promovojë bashkëpunimin dhe të zgjidhë dallimet përmes dialogut."
Të 27 anëtarët e BE-së - veçanërisht Franca dhe Gjermania - nuk janë të unifikuara në qëndrimin e tyre ndaj Kinës. Ndërsa Parisi mbron një linjë më të ashpër, Berlini dëshiron të vazhdojë me më shumë kujdes.























