Francë, kërkohen kriminelët që sulmuan automjetet e burgut
Bardhyl Bajrami /RTK
Qindra policë në rajonin e Normandisë, në Francë, janë në kërkim të një burgosuri, i cili iku nga automjeti i policisë, derisa po dërgohej në burg. Mohamed Amra, i njohur si “Miza”, po kthehej nga gjykata kur u sulmua me armë zjarri, ku mbetën të vrarë dy oficerë burgu.
Rreth 200 oficerë të zhandarmërisë franceze janë mobilizuar dhe nëpër pika kyçe të rajonit po kontrollojnë automjetet.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macro, ka thënë se po bëhet gjithçka për t’i gjetur autorët.
Prokurorja e shtetit, Laure Beccuau, u ka thënë gazetarëve se pak para orës 11:00, automjeti, i cili po transportonte të burgosurin, ka kaluar laurën në pikëkalimin e pagesës së taksës rrugore dhe menjëherë, më pas, një veturë e llojit ‘Peugeot” është përplasur drejt në të për ta bërë që të ndalojë.
Persona të armatosur me armë të gjata kanë dalë nga vetura ‘Peugeot’, të cilëve u janë bashkuar edhe persona të tjerë nga një veturë tjetër e llojit ‘Audi’, e cila me gjasë po e përcillte nga mbrapa automjetin ku ndodhej i dyshuari.
Kriminelët kanë shtënë drejt dy automjeteve, duke vrarë dy oficerë dhe plagosur tre të tjerë dhe duke ikur bashkë me të dyshuarin. Dy automjetet, që janë përdorur nga kriminelët, janë gjetur të djegura në lokacione të ndryshme.
Mohamed Amra u dënua nga gjykata për vjedhje më 10 maj dhe ishte paditur nga prokurorët në Marsejë për një rrëmbim që çoi në vdekje.
Sipas disa medieve në Francë, Amra ishte përpjekur gjatë javës që të ikë nga burgu, duke tentuar t’i presë grilat e qelisë. Amra thuhet se ka lidhje me një grup kriminal në Marsejë.























