Qëllohet me armë zjarri kryeministri sllovak, Robert Fico
Hanife Osmani/RTK
(Plotësuar 17:00) Kryeministri sllovak Robert Fico është qëlluar me armë zjarri, sipas raporteve të mediave lokale.
Kryeministri u qëllua përpara një ndërtese në qytetin qendror të Sllovakisë Handlova, ku paraprakisht ishte mbajtur një mbledhje e qeverisë. Ai u dërgua menjëherë në spital dhe sulmuesi i tij i dyshuar është kapur nga policia në vendngjarje. Sipas raporteve të fundit, Fico u qëllua në stomak, dorë dhe këmbë.
Zyrtarë të qeverisë thonë se incidenti ishte një atentat ndaj kryeministrit, përderisa sipas gazetareve në vendngjarje disa të shtëna janë dëgjuar.
Behet e ditur se kryeministri sllovak u qëllua disa herë dhe aktualisht është në një gjendje kritike për jetën dhe është transportuar me helikopter në qytetin e afërt të Banska Bystrica.
Në reagimin e saj fillestar presidentja në largim e Sllovakisë Zuzana Caputova tha se ishte e tronditur nga sulmi "brutal dhe i pamëshirshëm" ndaj kryeministrit dhe i uroi atij forcë për t'u rikuperuar. Reagime të tjera erdhën edhe nga liderë ndërkombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ndihet i "tronditur dhe i tmerruar nga të shtënat" ndaj kryeministrit Fico. "Uroj që ai të ketë forcë për ta rimarrë veten shpejt", shkroi Stoltenberg në rrjetin social X.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dënoi sulmin të cilin e quajti si të ultë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti sulmin ndaj Ficos si "të tmerrshëm". "Duhet të bëhet çdo përpjekje për t'u siguruar që dhuna të mos bëhet model në asnjë vend, asnjë formë e asnjë sferë", shkroi Zelensky në X.
Kryeministri rumun Marcel Ciolacu tha se është "thellësisht i tronditur" nga lajmi i të shtënave dhe thotë se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Kryeministri çek Petr Fiala thotë se të shtënat janë "tronditëse" dhe i uron Ficos shërim të shpejtë. Reagime pati edhe nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban i cili tha se është "thellësisht i tronditur nga sulmi ndaj mikut të tij kryeministrit Robert Fico.
Fico u kthye në pushtet në Sllovaki pas zgjedhjeve shtatorin e kaluar, në krye të një koalicioni populist-nacionalist.























