I dyshuari për plagosjen e Ficos mund të dënohet me burgim të përjetshëm
Hanife Osmani / RTK
Kryeministri sllovak Robert Fico u qëllua dje nga një distancë e afërt menjëherë pas mbledhjes së qeverisë në qytetin Handlova.
Sulmuesi i dyshuar u arrestua menjëherë nga autoritetet e sigurisë ndonëse i njëjti nuk është emëruar zyrtarisht, mirëpo raportet sllovake e kanë identifikuar atë si një 71-vjeçar nga qyteti Levice. Mediet lokale e përshkruajnë atë si një shkrimtar dhe aktivist politik.
Sipas raporteve ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Sulmi u përshkrua si politikisht i motivuar. Fico u qëllua 5 herë me armë zjarri në stomak, krah dhe këmbë. Drejtori i spitalit në një konferencë shtypi sqaroi për publikun se gjendja e Fico ishte e qëndrueshme, por "me të vërtetë shumë serioze" dhe ai ishte transferuar në një njësi të kujdesit intensiv.
Ministri i Brendshëm Matus Sutaj Estok në një konferencë shtypi të enjten tha se i dyshuari kishte vepruar i vetëm dhe se ai kishte marrë pjesë më parë në protestat antiqeveritare.
"Ky është një ujk i vetmuar, veprimet e të cilit u përshpejtuan pas zgjedhjeve presidenciale pasi ai ishte i pakënaqur me rezultatin e tyre," tha ai.
Ndërkohë, presidenti i sapozgjedhur sllovak Peter Pellegrini u bëri thirrje të gjitha partive që të pezullojnë fushatën përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të planifikuar për në fillim të qershorit.
Figura e Ficos në Sllovaki shihej si përçarëse sipas medieve në vend, ai kishte bërë thirrje për ndaljen e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Të shtënat ndodhën në ditën kur parlamenti filloi të diskutonte propozimin e qeverisë për të shfuqizuar transmetuesin publik të Sllovakisë. Mijëra sllovakë kanë protestuar kundër reformës së propozuar të transmetuesit publik javët e fundit























