Izraeli synon shtrirjen në Rafah
Dardan Ramabaja /RTK
Izraeli synon të zgjerojë shtrirjen në qytetin Rafah të Gazës, i ka thënë ministri i Mbrojtjes, këshilltarit amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan.
Izraeli synon të zgjerojë operacionin e tij ushtarak në Rafah, i tha të hënën ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, një ndihmësi të lartë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, i cili ka paralajmëruar kundër veprimeve të mëdha në qytetin jugor të Gazës, që mund të shkaktojnë viktima masive civile.
Izraeli e përshkruan Rafën, e cila gjendet në kufi me Egjiptin, si bastionin e fundit të islamistëve të Hamasit, aftësitë qeverisëse dhe luftarake të të cilëve është përpjekur t'i çmontojë gjatë luftës më shumë se shtatë-mujore.
Pas disa javësh mosmarrëveshjesh publike me Uashingtonin mbi planifikimin e Rafas, Izraeli më 6 maj urdhëroi civilët palestinezë të evakuoeheshin nga disa pjesë të qytetit, ku nisi inkursionet me trupa dhe tanke.
"Ne jemi të përkushtuar të zgjerojmë operacionin tokësor në Rafah deri në fund të çmontimit të Hamasit dhe të rikuperimit të pengjeve," citoi një deklaratë nga zyra e Gallantit t'i thoshte këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.
Izraeli beson se dhjetëra pengje nga sulmi i Hamasit, më 7 tetor, po mbahen në Rafah.
Fuqitë perëndimore dhe Egjipti kanë shprehur shqetësim për fatin e qindra mijëra palestinezëve të zhvendosur që strehohen atje, pavarësisht garancive izraelite për masat mbrojtëse humanitare.
Izraeli thotë se forcat e tij në Rafah kanë zbuluar dhjetëra tunele që lidhen me Sinain e Egjiptit.























