Izrael-Hamas,Kirby: S’ka përparim në marrëveshjen për lirimin e pengjeve
RTSH
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby ka deklaruar se deri më tani nuk ka përparim midis Izraelit dhe Hamasit për të arritur një marrëveshje që do të bënte të mundur për lirimin e pengjeve.
“Mjerisht, nuk mund të ulem këtu dhe t'ju them se jemi më afër tani se sa një javë më parë. Por kjo nuk do të thotë se ne do të ndalojmë së punuari për të”, u tha Kirby gazetarëve gjatë një konference për mediat.
Kirby përsëriti se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, bëri përparim të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje të madhe dypalëshe të sigurisë midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite gjatë vizitës së tij të fundjavës në mbretërinë e Gjirit.
“Ne kemi arritur drejt një tekst final për disa nga ato marrëveshje dypalëshe” thotë Kirby.
Megjithatë, ai pranon se nuk mund të thuhet e njëjta gjë për komponentin palestinez nga i cili varet e gjithë nisma. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka refuzuar krijimin e një shtegu drejt një shteti të ardhshëm palestinez, i cili ka të ngjarë të bëjë të gjithë përpjekjet e SHBA-së të diskutueshme.























