Sulmi izraelit në Rafah, 45 persona kanë humbur jetën
Hanife Osmani / RTK
Sulmi ajror izraelit në kampin e refugjatëve Rafa, la se paku 45 persona të vrarë, 23 prej tyre gra dhe fëmijë. Kjo vije disa orë më parë, kur Hamasi lëshoi tetë raketa nga Rafah drejt Tel Avivit, ndonëse nga kjo e fundit nuk u raportuan viktima.
Nga Hamasi për sulmet deklaruan se ishin përgjigje ndaj masakrës së civilëve në Gaza. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se kishin vrarë dy terroristë të lartë të Hamasit dhe se po hetonin rrethanat e vdekjes së civilëve në zonë.
Rafah ishte konsideruar si e sigurt nga autoritetet izraelite dhe kishte të strehuar 1.5 milion palestinez. Ndërsa që nga 6 Maji sipas OKB-së rreth 800,000 persona janë larguar që nga fillimi i operacionit tokësor izraelit atje tre javë më parë, por ende besohet se qindra mijëra gjenden aty të strehuar.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze deklaroi se sulmi ajror i së dielës kishte në shënjestër tendat me personat e zhvendosur afër një objekti të OKB-së në Tal al-Sultan, rreth 2 km në veri-perëndim të qendrës së Rafahut.
E nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit u bë se ditur nëpërmjet një deklarate se Avokati i Përgjithshëm Ushtarak i Izraelit, Yifat Tomer-Yerushalmi është përgjegjës për sigurimin e veprimeve ushtarake në përputhje me ligjin, dhe se i njëjti kishte urdhëruar një hetim mbi incidentin e ndezjes së një zjarri në të cilin po pretendohet të ketë marrë jetë njerëzish.
Operacionet ushtarake izraelite kanë vazhduar në Rafah, pavarësisht një vendimi të premten nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cila deklaroi se në përputhje me detyrimet e tij sipas Konventës së Gjenocidit, Izraeli duhet të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake dhe çdo veprim tjetër në Rafah.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ishte "i indinjuar" nga ajo që kishte ndodhur. Këto operacione duhet të ndalen," postoi ai në X, dikur Twitter. "Unë bëj thirrje për respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe një armëpushim të menjëhershëm."
Edhe Katari paralajmëroi se sulmi mund të ndërlikojë përpjekjet e tij ndërmjetësuese për të arritur një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve.























