Rrëshqitja vdekjeprurëse në Papua Guinenë e Re kërcënon mijëra të tjerë
Flutura Bekqeli / RTK
Autoritetet e Papua Guinesë së Re thonë se rreth 7,900 persona, të cilët jetojnë pranë vendit të një rrëshqitjeje vdekjeprurëse, janë në rrezik pasi shkëmbinjtë dhe mbeturinat vazhdojnë të lëvizin poshtë kodrës.
Ekipet e shpëtimit thonë se ka gjithnjë e më pak gjasa që viktimat të gjenden të gjalla në rrënoja.
Agjencia e vendit për fatkeqësitë thotë se ka frikë se rreth 2,000 njerëz kanë mbetur nën rrënoja kur një faqe mali u shemb të premten e kaluar. Një alarm për evakuim të mundshëm është vënë, me një zyrtar të provincës që tha se mali mbetet "shumë aktiv". Kjo është shumë më e lartë se vlerësimi i OKB-së për rreth 670 viktima.
OKB-ja thotë se ka qenë e vështirë të përcaktohet numri i saktë i vdekjeve pasi qasja në vend dhe atyre që kane mbetur nen rrënoja mbetet e vështirë.
Një pjesë e kësaj është për shkak të komplikimeve rreth misionit të kërkimit dhe shpëtimit, i cili tani është shndërruar kryesisht në një operacion rikthimi të trupave, kanë thënë zyrtarë të OKB-së.
Vetëm gjashtë trupa u gjetën që nga e marta, sipas zyrtarëve lokalë.
Autoritetet kanë paralajmëruar komunitetet aty pranë për rrezikun dhe kanë lëshuar njoftime evakuimi.
Një tjetër fshat afër fshatit të goditur Yambali është gjithashtu në rrezik. Ekziston gjithashtu një alarm në rritje për rrezikun e infeksionit dhe sëmundjeve në zonë pasi masa e trupave të bllokuar nën rrënoja fillon të kalbet.
Mes kushteve të vështira, grupet e ndihmës thonë se janë duke u fokusuar në detyrën e menjëhershme për të siguruar furnizime bazë si ushqim, ujë dhe komplete higjienike për banorët.
Zyrtarët lokalë thonë se rreth 3,800 njerëz kishin jetuar në fshat përpara rrëshqitjes së dheut, e cila ndodhi mëngjesin e së premtes dhe rrafshoi më shumë se 150 shtëpi.























