Biden paraqet planin për paqe në Rripin e Gazës
Bardhyl Bajrami/ RTK
Presidenti amerikan Joe Biden ka paraqitur një plan të Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gazë.
Është koha për t’i dhënë fund luftës, ka thënë presidenti Biden. Ai ka paraqitur një udhërrëfyes me tre faza ku përfshihet fillimisht një armëpushim gjashtë javor i cili më pas do të bëhet i përhershëm dhe më pas nis rindërtimi i Gazës me ndihmën ndërkombëtare.
Presidenti amerikan, gjithashtu ka përmendur se negociatat apo bisedimet mes fazës së parë dhe të dytë do të jenë të vështira. Biden i ka bërë thirrje Hamasit që ta pranoje marrëveshjen derisa u ka bërë presion edhe liderëve politik të Izraelit për ta bërë të njëjtën gjë.
Në fazën e parë, trupat izraelite do të tërhiqeshin nga zonat e populluara të Gazës derisa Hamasi do t’i lironte një numër të pengjeve izraelite në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur.
Civilët palestinez do të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre në të gjithë Gazën ndërsa ndihma humanitare do të përfshinte hyrjen e 600 kamionëve në ditë në Rripin e Gazës.
Në fazën e dytë do të liroheshin të gjitha pengjet izraelite që janë të gjallë, përfshirë edhe ushtarët meshkuj të izraelit. Tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza ndërsa armëpushimi do të ngritej në një shkallë më të lartë në ndërprerjen e përhershme të armiqësive.
Në fazën e tretë do të liroheshin të gjitha pengjet e mbetura eventuale izraelite dhe do të niste një plan i madh rindërtimi për Gazën, duke përfshirë ndihmën e SHBA-së dhe asaj ndërkombëtare për rindërtimin e shtëpive shkollave dhe spitaleve.
Ndërsa gjatë fazës së parë gjashtë javëshe do të vazhdonin bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA dhe Katari.
Presidenti Biden i është drejtuar drejtpërdrejt popullit izraelit duke thënë se këtë moment nuk guxojmë ta humbim.
Ndërkohë ka reaguar kryeministri I Izraelit Benjamin Netanjahu i cili ndër të tjera ka thënë se lufta në Gazë nuk do të përfundon derisa të arrihen të gjitha qëllimet përfshirë eliminimin e krahut të armatosur të Hamasit dhe kapacitetet organizative.
Ka reaguar edhe kryediplomati evropian Josep Borrell i cili përmes një deklarate në rrjetin social “X” i ka dhënë përkrahjen planit të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden. Lufta duhet të përfundojë, ka shkruar Borrell.























