SHBA kërkon nga Izraeli transparencë për sulmin ajror në objektin shkollor
Flutura Qena/RTK
SHBA i ka thënë Izraelit se duhet të jetë plotësisht transparent lidhur me sulmin ajror që thuhet se vrau të paktën 35 persona në një shkollë qendrore të Gazës, e mbushur me njerëz të zhvendosur.
Gazetarët vendas kanë thënë për BBC se një aeroplan luftarak kishte gjuajtur dy raketa në klasat në katin e fundit të shkollës në kampin urban të refugjatëve Nuseirat.
Ushtria izraelite tha se kishte kryer një sulm "të saktë" në një "bazë të Hamasit" në shkollë, por zyra e mediave qeveritare e Hamasit në Gaza mohoi pretendimin.
SHBA-ja i bëri thirrje Izraelit të identifikojë publikisht luftëtarët e Hamasit që tha se i kishte vrarë – ashtu siç ushtria izraelite dha emrat e nëntë prej tyre.
Izraeli shpesh identifikon militantët që synon në sulmet ajrore, por është e rrallë që SHBA-ja ta shtyjë atë për ta bërë këtë.
Izraelitët “na thanë se ishin 20 deri në 30 militantë që po synonin [dhe] ata do të publikojnë emrat e atyre që besojnë se i kanë vrarë, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller.
Në një konferencë per media pothuajse të njëkohshme, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari dha emrat e nëntë luftëtarëve të Hamasit dhe Xhihadit Islamik, për të cilët ai tha se ishin vrarë në sulm. Ai tha se më shumë do të identifikohen pas punës për të "verifikuar informacionin".
Në Uashington, Miller tha se SHBA ka parë raporte se 14 fëmijë janë vrarë në sulm.
Vdekjet e fundit vijnë vetëm një javë pasi 45 persona u vranë në një sulm izraelit në qytetin Rafah të Gazës.
Sulmi i fundit, thonë gazetarët dhe banorët vendas, ndodhi në orët e para të së enjtes në shkollën al-Sardi, e cila është në një zonë juglindore të kampit ku agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ofron shërbime.
Ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se 40 persona ishin vrarë, përfshirë 14 fëmijë dhe nëntë gra, dhe 74 të tjerë ishin plagosur.
Unrwa tha se 6,000 njerëz të zhvendosur ishin strehuar në kompleksin shkollor në atë kohë. Shumë shkolla dhe objekte të tjera të OKB-së janë përdorur si strehimore nga 1.7 milionë njerëz që kanë ikur nga shtëpitë e tyre gjatë luftës, e cila ka zgjatur pothuajse tetë muaj.























