Miratohet Ligji për Organizimin e Ministrive në Maqedoninë e Veriut
RTK
Nga procesi zgjedhor sapo ka dalë edhe Maqedonia e Veriut, atje, sot me 88 vota për dhe 22 kundër, Kuvendi e ka miratuar Ligjin për Organizimin e Ministrive në Qeverinë e re.
Ligji parasheh që prej 16 ministrive, sa janë aktualisht, të jenë 20 ministri.
Për ndryshimet e propozuara nga mandatari për kryeministër, Hristijan Mickoski, votuan edhe deputetët e opozitës shqiptare, duke iu mundësuar partive të shumicës, VMRO dhe VLEN, sigurimin e dy të tretave të votave. Mbështetja e Ligjit nga opozita shqiptare u bë në këmbim të formimit të një komisioni ad hoc në Kuvend, për mbikëqyrjen e përfaqësimit të drejtë të etniteteve në institucione.
Ndërkohë, Mickoski ka bërë me dije se përbërjen e re të Qeverisë do ta paraqesë për votim në Kuvend menjëherë pas votimit të këtij Ligji për Organizimin e Ministrive.























