Lufta në Ukrainë, përparime të vogla ruse, por me humbje të mëdha
Luan Qorraj / RTK
Forcat ruse po tentojnë ta thyejnë frontin e Ukrainës, duke u përpjekur të arrijnë deri te Chasiv Yar.
Kievi zyrtar ka bërë të ditur se ka arritur ta shkatërrojë një ‘SU-57’, njërin prej aeroplanëve më modern dhe më të rrallë të forcave ruse.
Raportet nga fronti i Ukrainës thonë se, përkundër dështimit të ofensivës në Kherson, forcat ruse po vazhdojnë të tentojnë të arrijnë deri tek qyteza Chasiv Yar, e cila gjendet rreth 20 kilometra larg Bakhmutit dhe e cila ka qenë cak i forcave ruse që nga viti i kaluar. Por, përkundër sulmeve të pandërprera gjatë muajve të kaluar, përparimet e Rusisë në këtë pjesë të frontit janë minimale, përderisa humbjet në njerëz dhe teknologji janë shumë të mëdha.
Shumë analistë dhe ekspertë ushtarak kanë thënë se, si në rastin e Bakhmutit, edhe nëse forcat ruse arrijnë që më në fund ta marrin Chasiv Yar, humbjet në teknologji dhe njerëz janë shumë më të mëdha, sesa rëndësia që do ta ketë kjo qytezë në zhvillimet e mëtejme të luftës.
Njëkohësisht, është bërë e ditur se njësitet ukrainase, duke përdorë fluturake pa pilot, kanë arritur që të godasin një aeroplan ‘Sukhoi 57’, njërin prej aeroplanëve të rrallë të gjeneratës së pestë, të cilat i ka Rusia. Aeroplani u godit përderisa ishte në pistën e një aeroporti, i cili është rreth 290 km brenda Rusisë, duke sinjalizuar kështu Moskën se Kievi po arrin që të godas caqe çdo herë e më të rëndësishme brenda Rusisë.























