Mbështetet rezoluta e SHBA-së për Gazën
BKT
Rajoni dhe Bota

Mbështetet rezoluta e SHBA-së për Gazën

Hanife Osmani / RTK

Plani i armëpushimit në Gazë ka gjetur mbështetje nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Më këtë propozim të planit nga SHBA, shpresohet të përmbyllet konflikti afatgjatë Izrael-Palestinë.

Propozimi përcakton kushtet për një armëpushim të plotë, lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, kthimin e eshtrave të pengjeve të vdekura dhe shkëmbimin e të burgosurve palestinezë. Gjithashtu plani i ofruar me 31 Maj nga vetë presidenti amerikan Joe Biden parasheh edhe ri-ndërtimin e Gazës e cila pothuajse është shkatërruar plotësisht.

Katërmbëdhjetë nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit votuan në favor të rezolutës së hartuar, megjithatë, Kina pavarësisht votimit pro, shprehu shqetësime për tekstin, ndërsa, Rusia abstenoi.

Rezoluta thekson se Izraeli e ka pranuar propozimin e armëpushimit dhe i kërkon Hamasit që gjithashtu të pajtohet me të. Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield,tha se

"Sot votuam për paqen". Edhe Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar Barbara Woodward e përshkroi situatën në Gaza si katastrofike, duke shtuar se "vuajtja ka vazhduar për shumë kohë atje".

Konflikti filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor, vrau rreth 1200 persona dhe rreth 251 të tjerë u morën peng. E nga ana palestineze, numri i të vrarëve në Gaza ka tejkaluar shifrën në mbi 37,000 që kur Izraeli iu përgjigj sulmit të tij.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota