Debati Biden-Trump me tensione
BKT
Rajoni dhe Bota

Debati Biden-Trump me tensione

Dardan Ramabaja /RTK

Aleatët e presidentit Joe Biden u përpoqën të premten të kontrollojnë pasojat e performancës së lëkundur në debatin e parë presidencial të 2024-ës, ku Biden u përpoq të frenonte një breshëri sulmesh dhe pretendimesh të rreme nga rivali i tij republikan Donald Trump.

Ish presidenti Trump e sulmoi në mënyrë të përsëritur Bidenin rreth ekonomisë dhe politikës së jashtme, ndërsa Biden synonte dënimin penal të rivalit të tij dhe përpjekjet e supozuara për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020. Në një moment Biden e quajti Trumpin "dështak dhe humbës" duke shtuar se ai kishte "moralin e një maceje të rrugës". Trump u kundërpërgjigj dhe tha në një moment: "Unë me të vërtetë nuk e di se çfarë tha ai në fund të asaj fjalie dhe nuk mendoj se ai e bëri as atë".

Trump përsëriti gjithashtu gënjeshtrat - nga aborti, taksat dhe deficiti - dhe në fillim shmangu përgjigjen nëse do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve të 2024-s.

Fushata e Biden-it kishte shpresuar se një debat i fortë do të shuante shqetësimet mes votuesve se presidenti 81-vjeçar demokrat është shumë i vjetër për të shërbyer një mandat të dytë katër-vjeçar.

Në vend të kësaj, tingëlloi një Biden i ngjirur dhe kishte pengesa në fjalët e tij herë pas here, veçanërisht në fazat e hershme të debatit.

Një donator i Biden, i cili kërkoi anonimitetin për të folur lirisht për presidentin, e quajti performancën e tij "skualifikuese" dhe parashikoi që disa demokratë do të rishikonin thirrjet që Biden të tërhiqej në favor të një kandidati tjetër përpara konventës kombëtare të partisë në gusht. Demokratët në panik shkëmbyen mesazhe duke pyetur nëse Biden do të konsideronte dorëheqjen.

Një strateg i kampit demokrat tha se do të ishte e paprecedentë që një president aktual të tërhiqej në fund të ciklit zgjedhor, por se do të kishte thirrje që Biden ta bënte pikërisht këtë.

Zëvendëspresidentja Kamala Harris pranoi se Biden kishte një "fillim të ngadaltë", por argumentoi se rekordi i tij gjatë 3 viteve e gjysmë si president peshonte më shumë se një ngjarje 90-minutëshe.

Trump, 78 vjeç, është përballur gjithashtu me pyetje në lidhje me aftësinë e tij për detyrë, duke pasur parasysh dënimin e tij muajin e kaluar në Nju Jork për fshehjen e pagesave të parave të heshtura ndaj një ylli porno, përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet e 2020 dhe mandatin e tij kaotik në detyrë.

Por, pavarësisht nga një sërë gënjeshtrash nga Trump gjatë debatit, fokusi në pasoja ishte drejtpërdrejt te presidenti aktual.

Asnjëri nga kandidatët nuk është i popullarizuar dhe sondazhet tregojnë se shumë amerikanë janë të pakënaqur me opsionet e tyre. Vendi është thellësisht i polarizuar dhe shumica e votuesve kanë shprehur shqetësimin se dhuna politike mund të pasojë zgjedhjet.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota