Sulmohet me hark polici i ambasadës izraelite në Beograd, vritet sulmuesi
Rreth orës 11:00 të ditës së sotme, një person i panjohur, ka qëlluar me hark një pjesëtar të policisë në Beograd, i cili ishte në shërbimin e sigurisë në Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë.
Polici M.J. (1990) ka përdorur armën në vetëmbrojtje dhe ka mposhtur sulmuesin, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Polici është transportuar në Qendrën Emergjente në gjendje të vetëdijshme, ku do të kryhet operacioni për heqjen e shigjetës nga qafa, raporton media serbe Blic.
Po hetohen të gjitha rrethanat e sulmit në ambasadën izraelite dhe motivet e mundshme.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç tha se sulmi ndaj pjesëtarit të xhandarmërisë “është akt terrorist i drejtuar edhe kundër shtetit të Serbisë edhe kundër pjesëtarëve të xhandarmërisë”.























