Rosen Zhelyazkov merr mandatin për Qeverinë e re të Bullgarisë
A.B |RTKlive
Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev i dorëzoi sot mandatin për formimin e kabinetit Rosen Zhelyazkov në cilësinë e tij si kryeministër i caktuar i GERB-UDF.
Ai është kandidati për kryeministër i propozuar nga grupi më i madh parlamentar - GERB-SDS. Zheljazkov njoftoi strukturën dhe përbërjen e kabinetit, i cili do të ketë një zëvendëskryeministër dhe 19 ministra.
Tomisllav Donçev është kandidat për zëvendëskryeministër dhe ministër i inovacionit dhe rritjes; Ljudmilla Petkova, ministre e financave; Daniell Mitov u propozua për Ministrinë e Jashtme; Ministria e Punëve të Brendshme mbetet me ministrin aktual në detyrë Kalin Stojanov, raporton BNR në shqip.
Dy ministra të tjerë në detyrë janë propozuar si titullarë në resorët e tyre, Georgi Gvozdejkov për transportin dhe Evtim Milloshev për turizmin. GERB-SDS kanë 7 ditë kohë për të gjetur mbështetje parlamentare për projekt-kabinetin e tyre në parlamentin e 50-të, ku koalicioni ka vetëm 68 nga 240 mandate.























