Bangladesh, 151 studentë të vdekur nga trazirat
BKT
Rajoni dhe Bota

Bangladesh, 151 studentë të vdekur nga trazirat

Hanife Osmani /RTK

Gjykata Supreme në Bangladesh ka njoftuar se ka anuluar shumicën e kuotave të rezervuara të vendeve të punës në sektorin publik, pas përleshjeve gjatë protestave të cilat shkaktuan vdekjen e 151 studentëve.

Studentët në Bangladesh mbajtën protesta me një sërë kërkesash e në veçanti ata kërkuan anulimin e plotë të kuotave për vende të punës në institucionet qeveritare.

Përleshjet e dhunshme mes studentëve dhe policisë shkaktuan vdekjen e 151 personave. Si pasojë e  kësaj, Gjykata Supreme e Bangladeshit anuloi shumicën e kuotave për vende të punës, ndonëse ajo nuk plotësoi në përpikëri tërësisht kërkesat e studentëve.

Në verdiktin final të Gjykatës u theksua se vendimi i marrë prej një gjykate tjetër, muajin e kaluar, për kuotat ka qenë ‘joligjor’.

Sipas medieve, Gjykata gjithashtu u ka kërkuar studentëve të kthehen në shkolla pas vendimit final. Në vendim është zvogëluar kuota për vendet e rezervuara të punëve qeveritare, prej 56 për qind në shtatë për qind. Pesë për qind e pozitave janë rezervuar për fëmijët e 'luftëtarëve për liri' në luftën për çlirimin e Bangladeshit prej Pakistanit më 1971, në krahasim me 30 për qind, sa ka qenë me vendimin paraprak. Një për qind e pozitave është ruajtur për komunitetet fisnore, dhe një për qind shtesë për personat me aftësi të kufizuara. Gjykata ka thënë se pjesa tjetër e pozitave 93 për qind do të fitohen mbi baza meritore.

Qeveria u zotua se do ta zbatojë vendimin brenda disa ditësh.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota