Kinë, 25 të vdekur e dhjetëra të zhdukur nga vërshimet
BKT
Rajoni dhe Bota

Kinë, 25 të vdekur e dhjetëra të zhdukur nga vërshimet

M.Miftari/RTKlive

Ekipet e shpëtimit po kërkonin të hënën për dhjetëra të zhdukur, pasi shirat e dendur shkaktuan përmbytje dhe shembje ure në pjesë të ndryshme të Kinës, ku mendohet se 25 persona kanë vdekur.

Një përmbytje shpërtheu në një fshat në provincën jugperëndimore të Sichuan-it, në mes të natës të së shtunës, dhe ekipet e shpëtimit thanë se 10 njerëz vdiqën dhe po kërkonin për 29 të tjerë të zhdukur. Ditë të tëra shiu të dendur frynë lumin që përshkon fshatin Xinhua në qarkun Hanyuan. Sipas medieve lokale, uji rrëmbeu 40 shtëpi në breg të lumit, duke rrënuar ura dhe rrugë, njofton AP.

Në provincën veriperëndimore Shaanxi, automjetet ranë në një lumë të vrullshëm, kur një pjesë e një ure autostrade u shemb, të premten vonë, derisa transmetuesi shtetëror CCTV raportoi të paktën 15 vdekje të konfirmuara që nga e hëna. Ekipet e shpëtimit thanë të shtunën se rreth 20 makina dhe 30 persona ishin të zhdukur.

Kolapsi ngriti më shumë pyetje në lidhje me sigurinë e infrastrukturës rrugore dhe urave në Kinë, të cilat u ndërtuan me shpejtësi në dekadat e fundit. Një stuhi e ngjashme, në maj, në provincën Guangdong, shkaktoi vdekjen e 36 njerëzve.

Shirat e dendur dhe përmbytjet përbëjnë një rrezik të veçantë për rrugët malore dhe urat e autostradave për shkak të erozionit, rrjedhave të mbeturinave dhe rrëshqitjeve të dheut.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota