Dorëhiqet drejtoresha e Shërbimit Sekret Amerikan
BKT
Rajoni dhe Bota

Dorëhiqet drejtoresha e Shërbimit Sekret Amerikan

Bardhyl Bajrami /RTK

Ka dhënë dorëheqje drejtoresha e Shërbimit të Fshehtë Amerikan, pas lëshimeve të Agjencisë me rastin e tentim-vrasjes së ish-presidentit Donald Trump në tubimin zgjedhor të 13 korrikut.

Kreu i Shërbimit të Fshehtë Amerikan, Kimberly Cheatle, ka njoftuar se do të japë dorëheqje pas lëshimeve të sigurisë me rastin e tentim vrasjes së ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në një tubim zgjedhor.

Gjatë një paraqitjeje para një Komiteti të Kongresit, drejtoresha Cheatle, atentatin ndaj ish-presidentit Trump e kishte përshkruar si dështimin më të madh operacional të Shërbimit ndër dekada.

Gjatë dëgjimit në këtë komitet, ligjvënësit nga të dy partitë i kishin bërë thirrje asaj që të japë dorëheqje.

Në letrën e saj të dorëheqjes, drejtuar kolegëve në Shërbimin e Fshehtë, Cheatle ka thënë se misioni i shërbimit është t’i mbrojë liderët e vendit dhe se e merr përgjegjësinë për dështimin e shërbimit, me lëshimet e sigurisë që lejuan apo mundësuan tentimin për atentat ndaj Donald Trump-it gjatë tubimit të 13 korrikut.

Tashmë ish-drejtoresha Kimberly Cheatle ka një përvojë pothuajse 30 vjeçare në Shërbimin e Fshehtë Amerikan. Ajo i është bashkuar këtij shërbimi në vitin 1995 ndërsa gjatë shërbimit si agjente ishte përfshirë në evakuimin e ish-zëvendëspresidentit Dick Cheney nga Shtëpia e Bardhë, që besohej se ishte në rrezik gjatë sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Ndaj dorëheqjes së drejtoreshës së Shërbimit të Fshehtë ka reaguar edhe presidenti Joe Biden, i cili përmes një deklarate ka thënë se i është mirënjohës për punën e saj në shërbimin publik. Biden ka bërë të ditur se shumë shpejt do ta caktojë kreun e ri të kësaj agjencie.

Kujtojmë se në tubimin e mbajtur me 13 korrik, një person u vra, ndërsa tre tjerë, përfshirë ish-presidentin Trump, ishin lënduar.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota