Kroacia shpall persona të padëshiruar tre politikanë nga Mali i Zi
SH.Ç/RTKlive
Kroacia i ka shpallur të padëshiruar politikanët malazezë Andrija Mandiq, Milan Knezheviq dhe Aleksa Beçiq për prishjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka bërë të ditur Malin e Zi përmes një note drejtuar Ambasadës së Malit të Zi në Zagreb se ka shpallur kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, deputetin Millan Knezheviq dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiq, persona të padëshirueshëm.
Mandiq dhe Knezheviq udhëheqin dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus, ndërkaq Beçiq është udhëheqës i demokratëve.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka theksuar se ky vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për shkak të abuzimit të Kroacisë për qëllime të brendshme politike.
“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, theksohet në njoftim.
Sipas njoftimit të ministrisë kroate, fqinjësia e mirë është një ndër elementët kyçë të procesit të zgjerimit dhe atij të stabilizim asociimit “dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e përparimit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi” në Bashkimin Evropian. Kjo ministri ka bërë të ditur se Kroacia e mbështet anëtarësim e Malit të Zi në BE.
“Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të sillet në përputhje me vlerat evropiane dhe në frymën evropiane dhe se të përqendrojë përpjekjet e tij në përmbushjen e mëtejshme të kushteve dhe kritereve në procesin e anëtarësimit”, theksohet në njoftim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë nuk ka dhënë një arsye të saktë për këtë vendim, por supozohet se ka të bëjë me rezolutën për Jasenovacin, e cila u votua nga Kuvendi i Malit të Zi në fund të qershorit.
Televizioni publik i Koracisë (HRT) ka shkruar se bëhet fjalë për vendimin e partive proserbe në Mal të Zi si përgjigje ndaj rezolutës në Srebrenicë në Kombet e Bashkuara.
Sipas këtij mediumi, elita politike kroate, por edhe politikanët malazezë, e vlerësuan këtë si një përpjekje të Serbisë për të përkeqësuar marrëdhëniet ndërmjet Zagrebit dhe Podgoricës dhe rrugën evropiane të Malit të Zi, vendit më afër anëtarësimit evropian.
Për rezolutën votuan 41 përfaqësues, ndër të tjerë nga partitë e Mandiqit, Beçiqit dhe Knezheviqit.























