Erdogan thotë se Turqia mund të hyjë në Izrael për të ndihmuar palestinezët
RTKlive/Reuters
Presidenti Tajip Erdogan tha të dielën se Turqia mund të hyjë në Izrael, siç kishte bërë në të kaluarën në Libi dhe Nagorno-Karabakh, megjithëse ai nuk shpjegoi se për çfarë lloj ndërhyrjeje po mendonte.
Erdogan, i cili ka qenë një kritik i ashpër i ofensivës së Izraelit në Gaza, foli rreth kësaj çështje gjatë një fjalimi ku lavdëroi industrinë e mbrojtjes të vendit të tij.
"Ne duhet të jemi shumë të fortë në mënyrë që Izraeli të mos mund t'i bëjë këto gjëra qesharake për Palestinën. Ashtu si hymë në Karabak, ashtu si hymë në Libi, ne mund të bëjmë të njëjtën gjë edhe me ta", tha Erdogan në një takim të partisë në pushtet AK në vendlindjen e tij Rize.
"Nuk ka asnjë arsye pse ne nuk mund ta bëjmë këtë ... Ne duhet të jemi të fortë në mënyrë që të mund të marrim këto hapa", shtoi Erdogan.
Izraeli nuk bëri asnjë koment deri tash. Presidenti turk dukej se po i referohej veprimeve të kaluara nga Turqia.
Në vitin 2020, Turqia dërgoi personel ushtarak në Libi në mbështetje të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë të njohur nga Kombet e Bashkuara.
Ndërkohë, Turqia ka mohuar çdo rol të drejtpërdrejtë në operacionet ushtarake të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh, por vitin e kaluar tha se po përdorte "të gjitha mjetet", duke përfshirë trajnimin ushtarak dhe modernizimin, për të mbështetur aleatin e saj të ngushtë.























