Vdes fëmija i tretë i plagosur gjatë sulmit në Southport
Luan Qorraj/RTK
Zyrtarët në Britani kanë njoftuar se edhe një fëmijë, i plagosur gjatë sulmit të djeshëm në Southport, ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra duke e çuar kështu numrin e viktimave në tre. Ndërkohë, janë dhënë detaje të reja rreth identitetit të sulmuesit.
Zyrtarët në Britaninë e Madhe kanë njoftuar se edhe një fëmijë, i plagosur gjatë sulmit të djeshëm me thikë në Southport, ka ndërruar jetë pasi që nuk mund ti përballonte plagët e marra.
Viktima e fundit u identifikua si një vajzë 9 vjeçare përderisa, më herët është bërë e ditur se dy vajza tjera të moshës 6 vjeçare, gjithashtu të plagosura gjatë këtij sulmi, nuk arritën t’i mbijetojnë plagëve dhe, momentalisht, numri i viktimave të konfirmuara të sulmit është tre.
Zyrtarët shtuan edhe se 5 fëmijë të tjerë, dhe dy persona të moshës madhore, të plagosur gjatë sulmit të djeshëm, janë ende në gjendje kritike.
Ky ka qenë sulmi më vdekjeprurës ndaj fëmijëve në Britaninë e Madhe, deri më tani dhe ngjarja ka shkaktuar shok te publiku.
Edhe pse sulmuesi u arrestua menjëherë pas incidentit, zyrtarët ende nuk kanë publikuar identitetin e tij të plotë, por kanë thënë se ai është një 17-vjeçar, i lindur në Cardiff të Britanisë nga prindër të cilët kanë ardhur nga Ruanda dhe se, deri me tani, as ai, as familjarët e tij nuk kanë pasur precedente kriminale - njëkohësisht, autoritetet thanë se mediumet e ndryshme, të cilët kanë marrë burime nga interneti, kanë publikuar një emër të gabuar të sulmuesit dhe kanë apeluar te publiku të mos përhap panik apo informata të rreme.
Zyrtarët gjithashtu paralajmëruan kundër spekulimit për motivet e sulmit, pasi që sulmuesi është ende duke u intervistuar dhe policia ende nuk e din pse u krye ky sulm.























