Sulmi në Mogadisho lë mbi 30 të vrarë, dhjetëra të plagosur
Rajoni dhe Bota

Sulmi në Mogadisho lë mbi 30 të vrarë, dhjetëra të plagosur

Bardhyl Bajrami /RTK

Të paktën 32 persona janë vrarë e më shumë se 60 janë plagosur si pasojë e një sulmi vetëvrasës në një plazh në Mogadisho të Somalisë. Përgjegjësinë e ka marrë grupi militant Al-Shabab që është i lidhur me Al-Kaidën.

Në një deklaratë të lëshuar nga ky grup, ku kanë marrë përgjegjësinë kanë thënë se në sulm janë vrarë politikanë, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe punëtorë të ministrive dhe zyrave të ndryshme. Ky grup gjithashtu thekson se numri i të vrarëve është shumë më i madh sesa numri i thënë zyrtarisht nga policia.

Abdifatah Adan Hassan, zëdhënësi i policisë ka thënë se të përfshirë në këtë sulm ishin pesë persona. Një person ka hedhur veten në erë, tre të tjerët janë vrarë ndërsa një tjetër është kapur i gjallë, ka thënë Hassan.

Një dëshmitar, agjencisë së lajmeve AFP i ka thënë se paniku ka kapluar qytetarët pasi ka qenë e vështirë të kuptohet se ç`po ndodh pasi të shtëna armësh kanë filluar menjëherë pas shpërthimit.

Grupi al-Shabab kontrollon pjesë të mëdha të Somalisë jugore dhe qendrore ndërsa është grup I lidhur me Al-Kaidën.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota