Mbi 50 të vdekur në Bangladesh
BKT
Rajoni dhe Bota

Mbi 50 të vdekur në Bangladesh

Hanife Osmani / RTK

Së paku 50 persona kanë humbur jetën si pasojë e përleshjeve të ashpra në protestat antiqeveritare në Bangladesh.

Trazirat filluan në momentin kur studentët si shenjë revolte kërkuan dorëheqjen e kryeministres së vendit, Sheikh Hasina, e cila është lidere e Bangladeshit për 15 vjet.

Ndërsa, kjo e fundit tha se ata të cilët janë përfshirë në sabotim dhe në shkatërrimin e vendit në emër të protestuesve nuk janë më studentë, por kriminelë. Së paku 11.000 njerëz janë arrestuar në javët e fundit.

Sipas klasës në pushtet, thuhet se kjo nuk ka të bëjë më farë me protestat studentore por se të njëjtat janë marrë në kontroll të plotë dhe po shfrytëzohen si mjet politik për dorëheqjen e Hasinas nga partia kryesore opozitare të Bangladeshit, Partia Nacionaliste, dhe partia e ndaluar, Jamaat-e-Islami. Në Bangladesh si pasojë e protestave masive janë mbyllur përkohësisht shkollat dhe universitetet në gjithë vendin, si dhe gjithashtu është shpallur orë policore.

Protestat filluan muajin e kaluar dhe kërkesa e studentëve është të hiqet kuota, sipas të cilës, 30 për qind të punëve qeveritare u takonin familjeve të veteranëve që luftuan në luftën e Bangladeshit për pavarësi kundër Pakistanit më 1971.

Gjykata Supreme e vendit e uli kuotën në vetëm 5 për qind, pas kërkesave gjithëpërfshirëse në protestat e ashpra, mirëpo të njëjtat edhe pas verdiktit të Gjykatës kanë vazhduar duke kërkuar llogaridhënie për dhunën dhe përdorimin e forcës së tepruar për të cilën demonstruesit fajësojnë Qeverinë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota