Forcat izraelite vazhdojnë operacionet në Rripin e Gazës
Hanife Osmani /RTK
Forcat izraelite po vazhdojnë operacionet e tyre në të gjithë Rripin e Gazës. Nga ana tjetër, Hamasi ka kërkuar nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti zbatimin e propozimit të armëpushimit propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden.
Së paku 25 palestinezë janë vrarë në 24 orët e fundit nga sulmet izraelite në të gjithë Gazën. Nga Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave bënë të ditur se forcat izraelite kanë vrarë 1.8 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës që nga 7 tetori e 75% e viktimave janë nën moshën 30 vjeç. Ndër tjerash, dhjetëra mijëra palestinezë janë detyruar të largohen nga Khan Younis kështu duke qëndruar në rrugë e trotuare pa ushqim dhe ujë.
Hezbollahu nga ana tjetër ka lëshuar disa raketa në veri të Izraelit, cak i tyre ishin disa qytete. Ndërsa, Hamasi u bën thirrje Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit që të paraqesin një plan për të zbatuar propozimin e armëpushimit të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden, në vend që të zhvillojnë më shumë raunde negociatash dhe të diskutojnë propozime të reja për Gazën.
Kurse nga zhvillimet e tjera në Lindjen e Mesme, diplomatët kryesorë të Iranit dhe Kinës po diskutojnë për Izraelin. Ministri i Jashtëm i Kinës mbështeti përpjekjet ligjore të Iranit për të mbrojtur sovranitetin, dhe shprehu dëshirën e tij për marrëdhënie të ngushta me Iranin për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.
Forcat izraelite arrestuan 12 persona në Bregun Perëndimor sipas Komisionit të Çështjeve të të Burgosurve Palestinez.
Që nga fillimi i luftës, forcat izraelite kanë arrestuar më shumë se 10,000 palestinezë, vrarë 39,897 të tjerë dhe plagosur mbi 92,152 persona.























