Zelensky: Vendi do të shpaguhet për të keqën që i është bërë
Bardhyl Bajrami/ RTK
Ukraina ka shënuar sot Ditën e Pavarësisë. Presidenti ukrainas ka nderuar dhe ka vënë kurora lulesh te memoriali i heronjve të rënë ukrainas. Presidenti polak dhe kryeministrja e Lituanisë ishin të pranishëm në Kiev në ceremoninë e shënimit të kësaj dite. “Vendi do të shpaguhet për të keqen që i është bërë”, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ukraina ka festuar Ditën e Pavarësisë. Më 24 gusht 1991, ky vend shpalli pavarësinë nga Rusia. Me rastin e kësaj dite, popullit ukrainas i është drejtuar presidenti Volodymyr Zelensky i cili në fjalimin e tij ka premtuar se vendi do të shpaguhet për të keqën që i është bërë.
Edhe pse Rusia ka nisur luftën kundër vendit tonë, i ka shkelur jo vetëm kufijtë tanë sovranë por gjithashtu edhe kufijtë e mizorisë dhe mendjes së shëndoshë, megjithatë ne sot po festojmë 33 vjetorin e pavarësimit të Ukrainës, ka thënë Zelensky.
Presidenti Zelensky ka falënderuar të gjithë ukrainasit por edhe të huajt që e mbrojtën pavarësinë e Ukrainës.
Në ditën e pavarësisë, presidenti Zelensky bashkë me zonjën e parë Olena Zelenskay kanë nderuar dhe kanë vënë kurora lulesh te memoriali i heronjve të rënë ukrainas.
Ukrainën, për Ditën e pavarësisë e ka uruar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka thënë se Bashkimi Evropian qëndron përkrah Kievit pasi Ukraina është Evropë.
“Liria juaj është liria jonë. Siguria juaj është siguria jonë. E tani, ju po lëvizni me shpejtësi marramendëse drejt anëtarësimit në BE”,ka thënë ajo.
Për të marrë pjesë në ceremoninë e festimit të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Kievin e kanë vizituar presidenti polak, Andrzej Duda dhe kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Shimonite. Presidenti polak ka thënë të shpresojë se lufta me Rusinë do të përfundojë shpejt me fitoren e Ukrainës dhe se Ukraina ka përkrahjen e Polonisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Derisa Ukraina ishte ende Republikë Sovjetike, diaspora e Ukrainës tradicionalisht e ka festuar 22 janarin si ditën e pavarësisë, sipas deklaratës së pavarësisë të Republikës Popullore të Ukrainës, ndërsa në Ukrainën moderne dita e pavarësisë për herë të parë është shënuar më 16 korrik 1991.























