OKB-ja mirëpret përparimin në vaksinimin kundër poliomielitit në Gaza
Dardan Ramabaja/RTK
OKB-ja mirëpret përparimin në fushatën e vaksinimit kundër poliomielitit në Gaza, bën thirrje për armëpushim të përhershëm.
Përparim i mirë po bëhet në vaksinimin kundër poliomielitit për fëmijët në Gaza, por një armëpushim i përhershëm në luftën 11-mujore është nevojshme për të lehtësuar vuajtjet humanitare, tha të mërkurën agjencia kryesore e OKB-së për palestinezët.
Sipas agjensisë, tre ditë pas fushatës në zonat e Gazës qendrore, rreth 187,000 fëmijë kishin marrë vaksinën. Fushata do të zhvendoset në zona të tjera të enklavës palestineze për fazën e dytë.
Fushata u nxit nga zbulimi i një rasti të poliomielitit te një foshnjë djalë muajin e kaluar, i pari në Rripin e Gazës për 25 vjet. Izraeli dhe militantët e Hamasit ranë dakord për pauza ditore prej tetë orësh në luftimet në zonat e paracaktuara për të lejuar programin e vaksinimit. Nuk është raportuar asnjë shkelje.
"Përparim i madh! Çdo ditë në zonat e mesme të #Gazës, më shumë fëmijë po marrin vaksina kundër #polio", tha të mërkurën kreu i agjensisë së OKB-së për plestinën, Philippe Lazzarini në X.
Sipas tij "Ndërsa këto 'pauza' të poliomielitit po u japin njerëzve pak kohë, ajo që nevojitet urgjentisht është një armëpushim i përhershëm, lirimi i të gjithë pengjeve + fluksi standard i furnizimeve humanitare, përfshirë furnizimet mjekësore dhe higjienike (në Gaza)," ka shtuar Lazzarini.
Palestinezët thonë se një arsye e madhe për rikthimin e poliomielitit është kolapsi i sistemit shëndetësor të Gazës dhe shkatërrimi i shumicës së spitaleve të saj gjatë luftës. Izraeli akuzon Hamasin për përdorimin e spitaleve për qëllime ushtarake, diçka që grupi islamik e mohon.
Të martën, COGAT, një agjenci izraelite e ministrisë së mbrojtjes e ngarkuar me koordinimin e dërgesave të ndihmave në territoret palestineze, tha që që nga fillimi i luftës, ajo ka lehtësuar hyrjen e 282,126 dozave të vaksinës së poliomielitit, të mjaftueshme për 2,821,260 njerëz.
Ai gjithashtu tha në një deklaratë se rreth 554,512 doza vaksinash kanë hyrë në Rripin e Gazës, të mjaftueshme për 4,973,736 vaksina individuale për sëmundje të ndryshme dhe epidemi të mundshme në territor.
Gaza ka rreth 2.3 milionë banorë dhe është një nga vendet më të dendura të populluara në botë.























