Sulm hakmarrës nga grupi `Boko Haram`
Bardhyl Bajrami / RTK
Pjesëtarët e grupit militant "Boko Haram" në Nigeri kanë sulmuar një fshat në shtetin Yobe, duke shtënë drejt njerëzve në tregun e fshatit, ndërsa ua kanë vënë flakën edhe shtëpive dhe dyqaneve. Dyshohet se sulmi ka qenë si hakmarrje për vrasjen e dy pjesëtarëve të këtij grupi militant.
Të paktën 37 persona janë vrarë nga një sulm i militantëve të grupit Boko Haram në Nigeri. Dyshohet se numri i viktimave është shumë më i madh. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mafa në shtetin verilindor Yobe të Nigerisë.
Militantët kishin hyrë në fshat me motoçikleta, kishin shtënë drejt njerëzve në një treg ndërsa shtëpive të fshatit dhe dyqaneve u kishin vënë flakën. Kështu ka thënë një zyrtar ushtarak i Nigerisë.
Banorët kanë thënë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i madh pasi ka shumë fshatarë që po konsiderohen të zhdukur pasi ishin ndjekur nga sulmuesit dhe ishin vrarë gjatë tentimit për të ikur, nëpër shkurre dhe gjetiu.
Dungus Abdulkarim, zëdhënësi i policisë në këtë shtet nigerian ka thënë se sulmi në këtë fshat me gjasë ka ndodhur si hakmarrje për vrasjen e dy të dyshuarve pjesëtarë të grupit Boko Haram nga fshatarët.























