Zelenskiy kërkon nga aleatët që Ukraina të përdor armët me rreze të gjatë
BKT
Rajoni dhe Bota

Zelenskiy kërkon nga aleatët që Ukraina të përdor armët me rreze të gjatë

Dardan Ramabaja / RTK

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të premten të injorojnë "vijat e kuqe" të Moskës dhe të lejojnë Kievin të përdorë armë me rreze të gjatë për sulme në territorin rus, pasi Uashingtoni premtoi 250 milionë dollarë të tjera armatime për Kievin.

Zelenskiy bëri paraqitjen e tij të parë në një mbledhje të rregullt të aleatëve të Ukrainës të organizuar nga SHBA në bazën ajrore Ramstein në Gjermani dhe u përpoq të paraqiste opsionet e goditjes me rreze të gjatë si një mënyrë tjetër për t'i bërë presion Rusisë që t'i jepte fund pushtimit.

Ai foli në një moment me rrezik të lartë për forcat ukrainase, të cilat nisën një ofensivë të befasishme në rajonin e Kurskut të Rusisë, edhe pse forcat ruse janë të përqendruara në kapjen e qytetit të Pokrovsk në Ukrainën lindore, një qendër kryesore logjistike për përpjekjet luftarake të Kievit.

“Ne duhet ta kemi këtë aftësi me rreze të gjatë jo vetëm në territorin e okupuar të Ukrainës, por edhe në territorin rus, po, në mënyrë që Rusia të jetë e motivuar për të kërkuar paqen”, tha Zelenskiy.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin vuri në dukje ofensivën e Kurskut si një shembull se si Ukraina po punonte për të kapur iniciativën e fushëbetejës. "Ushtria e agresionit të Kremlinit tani është në defanzivë në terrenin e saj," tha Austin.

Megjithatë, vërejtjet e Austin dukeshin më të fokusuara në përpjekjen më të gjerë perëndimore për të mbështetur fushatën e Ukrainës për të zmbrapsur forcat ruse nga territori i saj, duke përfshirë një njoftim për 250 milionë dollarë të tjera ndihmë për sigurinë.

Por Moska ka goditur qytetet anembanë Ukrainës me raketa dhe dronë në disa nga sulmet e saj më të mëdha që nga fillimi i luftës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota