SHBA: Irani ka transferuar raketa balistike në Rusi
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA: Irani ka transferuar raketa balistike në Rusi

M.Miftari/RTKlive

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë informuar aleatët se besojnë që Irani ka transferuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusi për luftën e saj në Ukrainë.

Megjithëqë ata nuk ofruan asnjë detaj se sa armë janë dorëzuar apo kur mund të kenë ndodhur transferimet, por konfirmuan zbulimin e inteligjencës amerikane. Ata folën në kushte anonimiteti për të diskutuar një çështje që nuk është bërë publike.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të konfirmojë transferimin e armëve, por përsëriti shqetësimin e saj se Irani po thellon mbështetjen e tij ndaj Rusisë. Shtëpia e Bardhë e ka paralajmëruar Iranin prej muajsh që të mos transferojë raketa balistike në Rusi, njofton AP.

“Çdo transferim i raketave balistike iraniane në Rusi do të përfaqësonte një përshkallëzim dramatik në mbështetjen e Iranit për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe do të çonte në vrasjen e më shumë civilëve ukrainas”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Sean Savett. "Ky partneritet kërcënon sigurinë evropiane dhe ilustron se si ndikimi destabilizues i Iranit arrin përtej Lindjes së Mesme dhe në mbarë botën."

Zbulimi i SHBA vjen, ndërsa Kremlini përpiqet të zmbrapsë ofensivën e papritur të Ukrainës që ka çuar në kapjen e rreth 500 milje katrorë (1300 kilometra) të rajonit Kursk të Rusisë. Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, po u bën presion aleatëve që të lejojnë vendin e tij të përdorë raketa të furnizuara nga perëndimi për të goditur thellë brenda Rusisë dhe për të goditur vendet nga të cilat Moska nis sulmet ajrore.

Irani, siç ka bërë me zbulimet e mëparshme të inteligjencës amerikane, mohoi t'i kishte ofruar Rusisë armë për luftën e saj në Ukrainë.

Drejtori i CIA-s, William Burns, i cili ishte në Londër të shtunën për një paraqitje të përbashkët me homologun e tij të inteligjencës britanike, paralajmëroi për marrëdhëniet në rritje dhe "shqetësuese" të mbrojtjes që përfshijnë Rusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, të cilat sipas tij kërcënojnë Ukrainën dhe aleatët perëndimorë në Lindjen e Mesme.

Shtëpia e Bardhë ka deklasifikuar dhe publikuar vazhdimisht gjetjet e inteligjencës që tregojnë se Koreja e Veriut ka dërguar municion dhe raketa në Rusi për t'i përdorur kundër Ukrainës, ndërsa Irani furnizon Moskën me drone sulmuese dhe ka ndihmuar Kremlinin në ndërtimin e një fabrike të prodhimit të dronëve.

Kina është frenuar nga ofrimi i armatimit rusëve, por ka rritur shitjet në Rusi të veglave të makinerisë, mikroelektronikës dhe teknologjive të tjera që Moska nga ana e saj po përdor për të prodhuar raketa, tanke, avionë dhe armatime të tjera, sipas zyrtarëve amerikanë.

Shtëpia e Bardhë ka qenë e shqetësuar prej muajsh për një marrëveshje të mundshme midis Iranit dhe Rusisë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota