Ukraina sulmon Rusinë me 144 dronë
Dardan Ramabaja
Ukraina sulmon Rusinë me 144 dronë, duke vrarë një të paktën një grua dhe duke mbyllur aeroportet. Ndërkohë, edhe Rusia kreu sulme me dronë e raketa anembanë Ukrainës, duke plagosur disa persona.
Ukraina goditi të martën Moskën dhe Rusinë perëndimore në një nga sulmet e saj më të mëdha me dron, duke vrarë të paktën një grua, duke shkatërruar dhjetëra banesa dhe duke detyruar mbylljen e aeroporteve kryesore në kryeqytet, thanë zyrtarët rusë.
Sipas tyre, 43 persona u evakuuan në qendra të akomodimit. Rusia tha se shkatërroi të paktën 20 dronë mbi rajonin e Moskës, i cili ka një popullsi prej mbi 21 milionë banorësh, dhe 124 të tjerë në tetë rajone të tjera.
Tre nga katër aeroportet e Moskës u mbyllën për trafikun ajror pas sulmeve, sipas autoritetit rus të aviacionit Rosaviatsia. Një rrugë kryesore që të çon në kryeqytet është mbyllur pjesërisht. Sulmet me dron dëmtuan të paktën dy ndërtesa shumëkatëshe në lagjen Ramenskoye të rajonit të Moskës, duke u vënë flakën banesave, sipas guvernatorit të Moskës, Andrei Vorobyov.
Më shumë se 70 dronë u rrëzuan gjithashtu mbi rajonin Bryansk të Rusisë dhe dhjetëra të tjerë mbi rajone të tjera, tha ministria ruse e mbrojtjes. Aty nuk raportohet për dëme apo viktima. Ndërsa Rusia përparon në Ukrainën lindore, Kievi është përpjekur ta çojë luftën në Rusi me një sulm të guximshëm në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë më 6 gusht dhe sulme gjithnjë e më të mëdha me dronë thellë në territorin rus.
Rusia thotë se sulmet janë të ngjashme me "terrorizmin" pasi ato synojnë infrastrukturën civile. Por gjatë natës, sulmet me dronë dhe raketa ruse plagosën të paktën tre persona, dëmtuan ndërtesa dhe shkaktuan zjarre në të gjithë Ukrainën, njoftuan ë autoritetet të martën.
Forcat ajrore rrëzuan 38 nga 46 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë një sulmi gjatë natës në 13 rajone, sipas një deklarate në aplikacionin e mesazheve Telegram. Rusia përdori gjithashtu dy raketa në sulmin e saj.























