Rusia dëbon gjashtë diplomatë britanikë të cilët i akuzon për spiunazh
Dardan Ramabaja
Rusia ka dëbuar gjashtë diplomatë britanikë të cilët i akuzon për spiunazh dhe sabotim, kurse presidenti Putin paralajmëron perëndimin se mund të hyjë në luftë me rusinë
Rusia ka hequr akreditimin e gjashtë diplomatëve britanikë, duke i akuzuar ata për spiunazh, raportojnë mediat ruse. Shërbimi shtetëror rus i sigurisë FSB pretendoi se aktivitetet e tyre kërcënonin sigurinë e vendit.
FSB, agjencia kryesore pasardhëse e KGB-së sovjetike, tha se kishte dokumente që tregonin se një departament i zyrës së jashtme britanike në Londër përgjegjës për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore po koordinonte atë që e quajti "përshkallëzimin e situatës politike dhe ushtarake" dhe ishte ngarkuar që të siguronte humbjen strategjike të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.
Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëron Perëndimin se ishte në rrezik për të hyrë në luftë me Rusinë. Putin tha se Moska do të merrte "vendimet e duhura" nëse NATO do të lejonte Ukrainën të godiste territorin rus me raketa me rreze të gjatë të prodhimit perëndimor.
"Kjo do të ndryshonte në mënyrë domethënëse vetë natyrën e konfliktit. Do të thoshte se vendet e NATO-s janë në luftë me Rusinë. Dhe nëse kjo ndodh, atëherë, duke pasur parasysh ndryshimin në vetë thelbin e këtij konflikti, ne do të bëjmë vendimet e duhura bazuar në kërcënimet që do të na ofrohen”, thotë Putini.
Ndërkohë, kryeministri Britanik Keir Starmer ka arritur në SHBA për të zhvilluar bisedime për Ukrainën me Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë.























