Vlerësimi i kushtetutshmërisë për `balnacuesit` përplas partitë shqiptare
Besnik Iseni/RTK
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta pezulluar dhe vlerësuar kushtetutshmërinë e “balancuesit", ka përplasur partitë politike në Maqedoninë e Veriut.
Zijadin Sela nga Fronti Evropian, në një konferencë për medie, tha se ky vendim është pjesë e majorizimit dhe më së shumti do të pësojnë bashkësitë etnike të cilat nuk janë shumicë.
"Kjo duhet t’i shqetësoj të gjithë qytetarët sepse nuk është vetëm vendim i Gjykatës Kushtetuese por është paralajmërim politik i kryeministrit Hristijan Mickoski që para një viti kur diskutohej për ndryshimet kushtetuese dhe kur u hap tema për definimin e gjuhës shqipe kishte paralajmëruar se do të hiqet badenteri dhe balancuesi”, tha Sela.
Koalicioni VLEN përmes një reagimi me shkrim akuzon formatin e Gjykatës Kushtetues. Sipas tyre, të gjithë gjykatësit janë zgjedhur me mbështetjen dhe votat e BDI-së. VLEN paralajmëron se do ta zgjidhë këtë problem me një ligj të ri, për të cilin thotë se tashmë është në proces të përgatitjes.
Nga ana tjetër,VMRO-DPMNE e kryeministrit Mickovski, kërkon që të mos i bëhet presion gjykatës, për të cilën thotë se e mbron aktin më të lartë juridik në vend.























