Izraeli ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Liban
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Liban

Flutura Bekqeli/RTK

Izraeli ka intensifikuar sulmet në Libanin Jugor, duke nisur dhjetëra sulme ajrore, mes frikës për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit në rajon.

Izraeli ka kryer sulme intenzive ajrore në Libanin jugor duke synuar pozicionet e grupit të mbështetur nga Irani, Hezbollah. Tre burime të paidentifikuara të sigurisë libaneze i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se ishin disa nga bombardimet më intensive që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor, kur Izraeli dhe grupi i mbështetur nga Irani Hezbollah filluan të shkëmbejnë zjarr ndërkufitar.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj ajrore goditën rreth 100 raketahedhës, si dhe infrastrukturë tjetër.

Nuk dihet menjëherë nëse ka pasur viktima.

Në një konferencë të së enjtes, ministri izraelit i mbrojtjes tha se Hezbollahu do të "paguajë një çmim te larte" pasi Izraeli kërkon të bëjë kushtet pranë kufirit të tij me Libanin mjaft të sigurta që banorët që kanë ikur nga sulmet ndërkufitare të kthehen. Kjo vjen pasi ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant ka thënë se "ne jemi në fillimin e një faze të re të luftës".

Javët e fundit, udhëheqësit izraelitë kanë shtuar paralajmërimet për një operacion të mundshëm më të madh ushtarak kundër Hezbollahut, duke thënë se janë të vendosur të ndalojnë zjarrin e grupit për të lejuar dhjetëra mijëra izraelitë të kthehen në shtëpitë afër kufirit.

Në fjalimin e tij të parë që nga sulmet e pajisjes të martën dhe të mërkurën, udhëheqësi i Hezbollahut. Hassan Nasrallah pranoi se Hezbollahu kishte pësuar një goditje "të paprecedentë" nga shpërthimet, të cilat vranë 37 njerëz dhe plagosën rreth 3000 gjatë dy ditëve. Nasrallah tha se Hezbollahu do të vazhdojë operacionet kundër Izraelit “derisa agresioni në Gaza të ndalet”.

Hamasi tha se "vlerëson shumë" mbështetjen e Hezbollahut dhe qëndrimi i Nasrallah zhgënjeu "planet e Izraelit për të minuar frontin e mbështetjes së popullit tonë dhe rezistencën në Rripin e Gazës". Izraeli nuk ka komentuar mbi shpërthimet e pajisjeve.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është e shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm në Lindjen e Mesme derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë krizën më vonë të premten.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota