Katër të vrarë dhe 18 të plagosur me armë zjarri në Alabama
BKT
Rajoni dhe Bota

Katër të vrarë dhe 18 të plagosur me armë zjarri në Alabama

Hanife Osmani / RTK

Katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur gjatë një sulmi të përgjakshëm me armë në Birmingham të Alabamas. Autoritetet po hetojnë ngjarjen, por ende nuk ka të arrestuar.

Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri në Birmingham të Alabamas, njoftuan forcat e policisë.

Sipas zyrtarit të policisë së Birminghamit, Truman Fitzgerald, disa sulmues kanë qëlluar mbi një grup njerëzish në zonën e Five Points South të qytetit, të shtunën vonë, zonë kjo e cila është e njohur për jetën e natës. Policia ka gjetur trupat e dy burrave dhe një gruaje në vendngjarje, ndërsa një person tjetër ndërroi jetë më vonë në spital nga plagët e marra. 

Hetuesit po shqyrtojnë nëse sulmuesit kanë qenë në këmbë apo në automjet kur kanë qëlluar mbi viktimat. Deri më tani, nuk ka të arrestuar, dhe autoritetet besojnë se ngjarja nuk ishte e rastësishme, por lidhet me një incident të izoluar ku disa viktima kanë mbetur në mes të zjarrit.

Sipas të dhënave të Arkivit të Dhunës me Armë, deri tani këtë vit në SHBA janë regjistruar mbi 400 sulme masive me armë zjarri, të cilat përfshijnë incidente ku plagosen ose vriten katër ose më shumë persona.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota