Intensifikohen sulmet Izrael-Hezbollah
Hanife Osmani / RTK
Forcat izraelite kanë nisur sulme intensive ajrore kundër Hezbollahut, ata kanë paralajmëruar civilët libanezë që të largohen nga zonat e kontrolluara nga grupi i mbështetur nga Irani.
Tensionet janë rritur pasi Hezbollah ka goditur thellë në territorin izraelit, përfshirë qytetin e Haifës me 150 raketa.
Ndërsa, rreth situatës ka ndërhyrë edhe Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se SHBA do të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. E Ministri i Mbrojtjes së izraelit Yoav Gallant, ka zhvilluar një bisedë me homologun amerikan, Lloyd Austin, për të diskutuar kërcënimet nga Hezbollahu dhe rolin e Iranit në rajon.
Një person është vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në sulme ajrore izraelite në verilindje të Libanit, sipas agjencisë kombëtare të lajmeve të Libanit. Viktima e identifikuar është një bari, ndërsa dy anëtarë të familjes së tij janë mes të plagosurve. Në një sulm ndaj Bejrutit, komandanti i Hezbollahut, Ibrahim Aqil, u vra. Aqil ishte në kërkim nga Izraeli dhe SHBA, për përfshirje në sulme që çuan në vrasjen e qindra amerikanëve në vitet 1980.
Luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë përshkallëzuar, me të dyja palët që shkëmbejnë sulme të rënda gjatë fundjavës, ndërsa situata e sigurisë në rajon mbetet jashtëzakonisht e paqëndrueshme.























