Izraeli paralajmëron intensifikimin e sulmeve ndaj Hezbollahut
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli paralajmëron intensifikimin e sulmeve ndaj Hezbollahut

Luan Qorraj / RTK

Zyrtarët në Liban kanë thënë se më shumë se 270 persona janë vrarë dhe mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur gjatë valës më intensive të bombardimeve izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza.

Njëkohësisht, zyrtarët në Tel Aviv kanë sinjalizuar që fushata e sulmeve në Liban do të intensifikohet edhe më tej.

Izraeli ka kryer valën më të madhe të sulmeve ajrore kundër caqeve të Hezbollahut në Liban, që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, në të cilën ky grup militant u përfshi duke kryer sulme ajrore dhe raketore kundër Izraelit.

Sipas Tel Avivit, aeroplanët izraelitë kanë goditur caqe të Hezbollahut në gati të gjitha pjesët e Libanit duke kryer qindra sulme, por zyrtarët në Liban thonë se Izraeli ka goditur edhe caqe civile dhe shtojnë se deri me tani është konfirmuar se 274 persona janë vrarë gjatë kësaj vale të sulmeve përderisa 1024 të tjerë janë plagosur. Disa mediume libaneze kanë thënë se në mesin e të vrarëve janë së paku 21 fëmijë dhe mbi 80 gra, përderisa besohet se vetëm 16 viktima kanë qenë pjesëtarë apo oficerë të Hezbollahut.

 Autoritetet në Bejrut kanë mbyllur të gjitha shkollat dhe kanë këshilluar kujdes maksimal tek qytetarët përderisa kompanitë e ndryshme ajrore kanë anuluar fluturimet nga dhe drejtë aeroportit të Bejrutit si dhe atij të Tel Avivit, përderisa krerët e Hezbollahut kanë thënë se do të kundërpërgjigjen për sulmet e sotme.

Edhe pse Izraeli ka kryer qindra sulme kundër këtij grupi,besohet se Hezbollahu ende posedon mijëra raketa dhe fluturake pa pilot me të cilat mund të shkaktojnë dëme dhe viktima brenda Izraelit.

Njëkohësisht, zyrtarët në Izrael kanë sinjalizuar që sulmet ajrore do të intensifikohen duke deklaruar se forcat izraelite gjatë ditëve të ardhshme do të rrisin edhe më tej numrin e sulmeve kundër caqeve të Hezbollahut në Liban.

Shumë ekspertë dhe analistë tani thonë se Libani është shndërruar në qendër të luftës, pasi që me uljen e numrit të operacioneve në Rripin e Gazës, forcat izraelite çdo herë e më shumë po përqendrohen në luftë kundër Hezbollahut.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota