Tensionet Izrael-Liban, së paku 51 persona të vrarë dhe mbi 220 të plagosur
BKT
Rajoni dhe Bota

Tensionet Izrael-Liban, së paku 51 persona të vrarë dhe mbi 220 të plagosur

Hanife Osmani / RTK

Sulmet ajrore të së mërkurës kanë lënë të paktën 51 të vdekur dhe mbi 220 të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.

Në Liban, më shumë se 90 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që prej të hënës, ndërsa sulmet e përshkallëzuara nga Izraeli vazhdojnë në jugun e vendit dhe zonën e Beqaa-së.

Tensionet janë rritur ndjeshëm pasi Izraeli njoftoi se ka ndaluar një raketë balistike të lëshuar nga grupi Hezbollah drejt Tel Avivit, ndërsa përplasjet mes dy palëve vazhdojnë prej më shumë se dy javësh.

Hezbollah, i mbështetur nga Irani, thotë se po kundërpërgjigjet ndaj agresionit izraelit në solidaritet me palestinezët, ndërsa Izraeli pretendon se synon të eliminojë kërcënimin nga grupi militant.

Në veri të Izraelit, rreth 60 mijë persona janë zhvendosur për shkak të zjarrit të përditshëm ndërkufitar.

Kryeministri britanik dhe disa vende të tjera, përfshirë SHBA-në, Francën dhe Japoninë, u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen menjëherë nga Libani, për shkak të rrezikut të një konflikti më të madh.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka kryer sulme të reja përgatitore për një hyrje të mundshme tokësore në Liban, me qëllim çmontimin e bazave ushtarake të Hezbollahut në fshatrat jugore.

Situata është përkeqësuar edhe më tej në jug të Libanit, ku shumë njerëz po largohen me shpejtësi, shpesh duke fjetur në rrugë ose në makina për shkak të bllokimit të rrugëve dhe mungesës së furnizimeve bazë si ushqimi dhe ilaçet.

Spitalet në Liban po përballen me mbingarkesë të madhe dhe janë afër kolapsit, paralajmërojnë organizatat humanitare.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota