Izraeli ka kryer sulme tokësore dhe ajrore në Libanin jugor
Dardan Ramabaja /RTK
Izraeli kryen sulme tokësore në Libanin jugor, duke thënë se ka në shënjestër Hezbollahun.
Izraeli ka njoftuar se luftimet intensive shpërthyen me Hezbollahun në Libanin jugor, pasi trupat pararojë dhe komandot e saj nisën operacionet atje, përpara një inkursioni të pritshëm tokësor dhe pas sulmeve shkatërruese ajrore kundër udhëheqjes së Hezbollahut.
Operacionet në Liban filluan të hënën mbrëma me divizionin elitar 98, i cili u dislokua në frontin verior dy javë më parë nga Gaza, ku kishin luftuar kundër Hamasit për muaj të tërë.
Sipas ushtrisë, forcat ajrore dhe artileria mbështetën trupat tokësore të angazhuara në "sulme tokësore të kufizuara, të lokalizuara " kundër Hezbollahut në fshatrat e Libanit jugor që përbënin "një kërcënim të menjëhershëm për komunitetet izraelite në Izraelin verior".
Ndërkohë edhe sulmet ajrore izraelite kanë vazhduar duke goditur Bejrutin, ku zyrtarët në Liban thonë se është goditur një ndërtesë në një kamp refugjatësh palestinezë pranë Sidonit.
Izraeli i ka dhënë goditje të rënda Hezbollahut, përfaqësuesit më të fuqishëm të Iranit në Lindjen e Mesme, duke vrarë liderin e tij, Hassan Nasrallah, në Bejrut, javën e kaluar, duke eliminuar një figurë të jashtëzakonshme që e ktheu atë në forcën më të madhe ushtarake dhe politike të Libanit.
Grupi i armatosur i Libanit, Hezbollah, deklaroi të martën se kishte shënjestruar trupat izraelite përtej kufirit në Metula, dy herë, me gjuajtje artilerie dhe raketash, por nuk përmendi nisjen e operacioneve tokësore të Izraelit në Liban.
Pavarësisht sukseseve të tij më të mëdha kundër Hezbollahut në dekada, Izraeli ka treguar se është i përgatitur për një pushtim të plotë të Libanit me qëllimin e deklaruar për t'u mundësuar mijëra qytetarëve të saj që ikën nga raketat e Hezbollahut të kthehen të sigurt në komunitetet e tyre pranë kufirit verior.
Një burim libanez për çështje sigurie i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se njësitë izraelite kishin kaluar në Liban gjatë natës për operacione, ndërsa trupat libaneze u tërhoqën nga pozicionet kufitare, ka shtuar burimi.
Operacioni në Liban përfaqëson një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe militantëve të mbështetur nga Irani, që tani kërcënon të tërheqin SHBA-në dhe Iranin.
Ndërkohë në Siri, tre civilë u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin Damask, tha media shtetërore siriane, të martën, duke cituar një burim ushtarak.
Izraeli ka kryer sulme kundër objektivave të lidhura me Iranin në Siri prej vitesh, por ka shtuar sulmet që kur grupi militant palestinez Hamas sulmoi territorin jugor të Izraelit më 7 tetor 2023.























