Tetë ushtarë izraelitë u vranë në luftimet me militantët e Hezbollahut
Dardan Ramabaja / RTK
Tetë ushtarë Izraelitë u vranë në luftime në Libanin jugor në fushatën kundër grupit të armatosur të Hezbollahut, njoftojnë zyrtarët Izraelitë.
Humbjet ishin më vdekjeprurëset të pësuara nga ushtria izraelite në frontin e Libanit në përleshjet që nisën vitin e kaluar në zonën kufitare mes Izraelit dhe armikut të tij libanez të mbështetur nga Irani.
Militantët e Hezbollahut thanë të mërkurën se po angazhoheshin në përleshje tokësore për herë të parë kundër forcave izraelite brenda Libanit që kur forcat izraelite kaluan kufirin. Hezbollahu tha se kishte shkatërruar tre tanke izraelite Merkava me raketa pranë qytetit kufitar Maroun El Ras.
Hezbollahu tha se kishte zmbrapsur forcat izraelite pranë disa qyteteve kufitare dhe gjithashtu kishte gjuajtur raketa në postet ushtarake brenda Izraelit.
Sipas tyre ato beteja ishin vetëm "raundi i parë" dhe se Hezbollahu kishte mjaft luftëtarë, armë dhe municione për ta zprapsur Izraelin.
Shtimi i këmbësorisë dhe trupave të blinduara të Izraelit nga Divizioni i 36-të, duke përfshirë Brigadën Golani, Brigadën 188 të Blinduar dhe Brigadën e 6-të të Këmbësorisë, sugjeroi që operacioni mund të zgjerohej përtej sulmeve të kufizuara komando.
Ushtria ka thënë se inkursioni i saj ka për qëllim kryesisht shkatërrimin e tuneleve dhe infrastrukturës tjetër në kufi dhe nuk kishte plane për një operacion më të gjerë që synonte kryeqytetin libanez Bejrutin në veri ose qytetet kryesore në jug.
Operacioni ka vazhduar një ditë pasi Irani hodhi më shumë se 180 raketa në Izrael, një breshëri që ngriti shqetësimet se Lindja e Mesme prodhuese e naftës mund të përfshihej në një konflikt më të gjerë.
Irani tha të mërkurën se breshëria e saj me raketa - sulmi më i madh i tij ndonjëherë ndaj Izraelit - ishte për të ndaluar provokimet e mëtejshme, por Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara premtuan se do të kundërpërgjigjen fort.
Një palestinez 38-vjeçar nga Gaza, ishte e vetmja viktimë fatale e njohur në sulmin e Iranit ndaj Izraelit, pasi u godit nga mbetjet e një rakete të rrëzuar.























