Izraeli shënon përvjetorin e 7 tetorit
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli shënon përvjetorin e 7 tetorit

Dardan Ramabaja / RTK

Izraelitët shënuan të hënën përvjetorin e parë të sulmit shkatërrues të Hamasit që shkaktoi një luftë e cila ka ndezur protesta në mbarë botën dhe rrezikon të ndezë një konflikt shumë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ceremonitë dhe protestat në Jerusalem dhe në jug të Izraelit filluan rreth orës 06:29 të mëngjesit, ora kur militantët e udhëhequr nga Hamasi lëshuan raketa në Izrael në fillim të sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar.

Ata vranë rreth 1200 njerëz dhe morën rreth 250 pengje në Gaza, sipas shifrave izraelite.

Ushtria izraelite ka publikuar për herë të parë të sulmeve të 7 tetorit, në të cilat shihen trupat izraelite duke luftuar kundër Hamasit në Kibbutzin Re'im në afërsi të Rripit të Gazës.

Jashtë shtëpisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jerusalem, rreth 300 njerëz të udhëhequr nga familjet e pengjeve që mbanin fotografitë e të dashurve të tyre, mbajtën një minutë heshtje për të vdekurit ndërsa u dëgjua sirena.

"Ne jemi ende të mbërthyer në 7 tetor 2023, në një ditë të pafund terrori, frike, zemërimi, dëshpërimi," tha Yuval Baron, vjehrri i të cilit Keith Siegel është peng në Gaza.

"Ne donim ta nisnim këtë ditë së bashku për t'i kujtuar vetes, kryeministrit tonë, publikut të Izraelit se edhe pse është një ditë pikëllimi, ka ende një mision të shenjtë për të rikthyer pengjet," tha Baron.

Në Reim, vendi i festivalit muzikor ku u vranë më shumë se 360 njerëz dhe dhjetëra u morën peng, Presidenti Isaac Herzog kryesoi ceremoninë përkujtimore që filloi me këngën e fundit që u luajt në festë një vit më parë.

"Ne do të kujtojmë gjithmonë se kush rrëmbeu, kush vrau, kush përdhunoi, kush theri. Në të njëjtën kohë, ne kemi parë edhe një forcë të jashtëzakonshme. Kemi një popull të mrekullueshëm dhe në këtë ditë e forcojmë dhe bëjmë thirrje për unitet", tha Herzog.

Ceremonitë do të mbaheshin në fshatrat dhe qytetet e kibucit pranë kufirit gjatë gjithë ditës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota