Intensifikohet konflikti Izrael-Liban
Hanife Osmani /RTK
Izraeli vazhdon sulmet ajrore mbi Liban, duke shkaktuar zhvendosjen e mbi 1.2 milionë njerëzve. Hezbollahu raporton përplasje me forcat izraelite në kufi.
Në zhvillimet e fundit nga konflikti mes Izraelit dhe Libanit, OKB raporton se një e katërta e territorit të Libanit është nën urdhra zhvendosjeje nga ushtria izraelite, me rreth 1.2 milionë persona të zhvendosur pas fillimit të sulmeve ajrore izraelite muajin e kaluar.
Në Bejrut, qytetarët po flenë në rrugë, plazhe dhe Sheshin e Dëshmorëve, ndërsa në jug të vendit raportohet për përplasje mes Hezbollahut dhe trupave izraelite në kufirin lindor dhe perëndimor. Ndërkohë, sulmet ajrore izraelite mbi Bejrut vazhduan gjatë natës, por me intensitet më të ulët se ditët e mëparshme.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje qytetarëve libanezë të ngrihen kundër Hezbollahut, por, sipas analistëve, kjo është një çështje komplekse, pasi Hezbollahu ka një rol të rëndësishëm politik dhe social në Liban.
Në anën tjetër të kufirit, në qytetin Kiryat Shmona të Izraelit, dy persona humbën jetën nga një sulm me raketa, ndërsa Izraeli raportoi gjithashtu për sulme në zonën e Haifës për të tretën ditë radhazi. Izraeli njofton se janë hedhur rreth 40 raketa nga Libani, duke shkaktuar gjashtë të plagosur, përfshirë një djalë 16-vjeçar.
Gjithashtu, në një sulm me thikë në qytetin Hadera, rreth 40 km nga Tel Avivi, u plagosën gjashtë persona, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Policia izraelite e konsideroi incidentin si një sulm terrorist.























