Të paktën 22 persona të vrarë nga sulmet izraelite në qendër të Bejrutit
Flutura Bekqeli /RTK
Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se nga sulmet ajrore izraelite në qendër të Bejrutit, mbetën të vdekur të paktën 22 persona dhe 117 të tjerë të lënduar. Në anën tjetër, presidenti rus Vladimir Putin, u takua me homologun iranian, Masoud Pezeshkian, për herë të parë të premten, mes përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sulmet izraelite në një lagje me popullsi të dendur të Bejrutit vranë mbi 20 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë, thanë autoritetet libaneze. Një zyrtar i lartë i Hezbollahut i mbijetoi sulmit, sipas një burimi në grupin militant.
Shqetësimet për sigurinë e forcave paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor janë rritur në mes të hyrjes tokësore të Izraelit, paralajmëroi shefi i paqeruajtësve të OKB-së, pasi zjarri izraelit rezultoi në plagosjen e dy trupave të OKB-së. Incidenti tërhoqi dënimin ndërkombëtar.
Në anën tjetër, një hetim i OKB-së akuzoi Izraelin për kryerjen e një 'politike të bashkërenduar' të shkatërrimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në Gaza gjatë konfliktit të tij njëvjeçar me Hamasin. Veprimet e Izraelit "përbëjnë krime lufte të vrasjes dhe keqtrajtimit të qëllimshëm dhe krimin kundër njerëzimit të shfarosjes", thuhet në deklaratë.
E Kabineti i sigurisë i Izraelit ende nuk ka rënë dakord për përgjigjen e tij ndaj sulmit me raketa të Iranit, por boshllëqet midis pozicioneve të SHBA-së dhe Izraelit po ngushtoheshin, tha një burim për CNN. Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë se hakmarrja e Izraelit duhet të jetë ?proporcionale?. Ne zhvillime tjera, presidenti rus Vladimir Putin u takua me homologun e tij iranian Masoud Pezeshkian për herë të parë të premten, ndërsa marrëdhëniet midis dy vendeve të sanksionuara janë të ngrohta dhe Lindja e Mesme po përgatitet për reagimin e Izraelit ndaj sulmit më të madh raketor të Teheranit javën e kaluar.
Takimi në një samit rajonal në Ashgabat, kryeqyteti i vendit të Azisë Qendrore, Turkmenistani, vjen gjithashtu në sfondin e lidhjeve më të ngushta ushtarake midis Iranit dhe ushtrisë ruse në vitet e fundit, veçanërisht që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022.
Irani ka furnizuar Rusinë me mijëra dronë sulmues "Shahed" dhe sipas zyrtarëve amerikanë, ka ndërtuar një fabrikë dronësh në Rusi. Irani gjithashtu kohët e fundit transferoi raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusi për t'i përdorur në luftën kundër Ukrainës, raportoi CNN në shtator, duke shënuar një përshkallëzim të rëndësishëm në mbështetjen e vendit për Moskën. Moska dhe Teherani kanë një aleancë ushtarake de fakto në rajon për të mbështetur regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad. Analistët thonë se vendet kanë gjetur gjuhën e përbashkët të mëtejshme pasi ato janë gjithnjë e më të izoluara nga sanksionet globale.























