Nga sulmet izraelite vriten  51 persona në Liban dhe 22 të tjerë Gaza
BKT
Foto arkiv| AFP/Getty Images
Rajoni dhe Bota

Nga sulmet izraelite vriten  51 persona në Liban dhe 22 të tjerë Gaza

Dardan Ramabaja/ RTK

 Sulmet e Hezbollahut me dron kanë vrarë katër ushtarë izraelitë në një bazë të ushtrisë izraelite në jug të Haifës të dielën mbrëma.

Mediat izraelite raportojnë se dy drone të Hezbollahut u gjurmuan nga Forcat Ajrore izraelite (IAF) të dielën mbrëma - por ndërsa njëri u qëllua në brigjet afër Haifës, ushtria humbi gjurmët e të dytit.

Sulmi vrau katër ushtarë - të gjithë 19 vjeç - dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Ky është sulmi më vdekjeprurës në një bazë izraelite që kur Izraeli shtoi sulmet ndaj Hezbollahut në Liban muajin e kaluar.

Në Liban, ministria e shëndetësisë thotë se 51 persona u vranë nga sulmet izraelite në të gjithë vendin të dielën, ndërsa 174 të tjerë u plagosën.

Njëzet e dy prej të vrarëve ishin në rajonin e Malit të Libanit, në veri të vendit, ndërsa 10 persona u vranë në sulmet izraelite në rajonin jugor të Nabatieh, dhe pesë të tjerë u vranë në fshatin Maifadoun, në perëndim të kështjellës Beaufort.

Në Gaza, autoritetet e drejtuara nga Hamasi thonë se një sulm izraelit në një shkollë të përdorur si strehë vrau 22 njerëz të dielën, duke përfshirë 15 fëmijë.

Ndërkohë Forca paqeruajtëse e OKB-së në Liban thotë se tanket izraelite hynë me forcë në një nga pozicionet e saj të dielën kurse Izraeli kundërshton versionin e OKB-së për ngjarjet.

"OKB-ja është një organizatë e dështuar dhe Uinfil është një forcë e padobishme që nuk arriti të zbatojë Rezolutën 1701, nuk arriti të parandalojë [Hezbollahun] të vendoset në Libanin jugor", ka shkruar në një postim në X, anëtari i kabinetit izraelit Eli Cohen.

Rezoluta 1701 - e miratuar pas luftës Izrael-Hezbollah në Liban në 2006 - kërkon një zonë të çmilitarizuar dhe çarmatosjen e Hezbollahut, ndër të tjera.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota