Izraeli sulmon Libanin, raportohet se bombardoi edhe depo armësh në Siri
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli sulmon Libanin, raportohet se bombardoi edhe depo armësh në Siri

Flutura Bekqeli / RTK

Izraeli kreu më shumë sulme ajrore në Libanin lindor gjatë natës, me shtatë sulme të raportuara në 10 minuta në rajonin Al-Khiam, derisa raportet në Siri thonë se Izraeli bombardoi edhe një depo armësh në qytetin port sirian të Latakias.

Në Libanin jugor, luftimet po vazhdojnë në terren, me Izraelin që thotë se kishte zbuluar "sasi të mëdha" armësh të Hezbollahut. Të mërkurën, sulmet izraelite në qytetin e Nabatieh vranë 16 persona, duke përfshirë kryetarin e bashkisë dhe duke shkaktuar zemërim në të gjithë vendin Hezbollahu ka gjuajtur më shumë raketa në veri të Izraelit derisa më në jug, Izraeli kapi një dron mbi Detin e Kuq.

Në anën tjeter, raportet në Siri thonë se Izraeli bombardoi një "depo armësh" në qytetin port sirian të Latakias. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar thotë se sulmi izraelit kishte në shënjestër një depo armësh në qytet.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende mbi sulmet, të cilat erdhën një javë pasi media siriane raportoi sulme izraelite në një fabrikë makinash dhe një pozicion ushtarak në rajonet qendrore Homs dhe Hama.

Në zhvillime tjera, SHBA ka nisur ato që i quan "sulme precize" në pesë objekte të ruajtjes së armëve në pjesë të Jemenit të kontrolluara nga grupi Houthi i mbështetur nga Irani, pa viktima të raportuara civile.

Në një deklaratë Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin thotë se forcat amerikane shënjestruan disa "objekte nëntokësore" që strehonin armë të përdorura nga Houthis për të synuar "anijet civile dhe ushtarake" në rajon.

Që nga nëntori i kaluar, Houthi-t kanë nisur sulmet ndaj rreth 100 anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke fundosur dy anije, të cilat grupi thotë se janë hakmarrje për fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza.

E komandanti i përgjithshëm i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit gjeneralmajor Hossein Salami, ka thënë se do të godasë Izraelin "me dhimbje" nëse sulmon objektivat iraniane. Komentet e tij vijnë pasi Izraeli në fillim të kësaj jave tha se do të dëgjojë SHBA-në, por çdo vendim se si do t'i përgjigjet sulmit të Iranit do të bazohet në "nevojat e tij të sigurisë kombëtare".

Irani lëshoi pothuajse 200 raketa balistike drejt Izraelit më 1 tetor. Shumica e predhave u kapën dhe, në atë kohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Irani kishte bërë një "gabim të madh" dhe "do të paguante për të".


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota