SHBA ndërmerr sulme ajrore në Jemen ndaj kryengritësve Houthi
Bardhyl Bajrami /RTK
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ajrore kundër depove të fortifikuara të armatimit të kryengritësve Houthi në Jemen. Nuk është raportuar për viktima të mundshme. Kryengritësit Houthi që nga nëntori i vitit të kaluar në vazhdimësi kanë sulmuar anijet që qarkullonin nëpër Detin e Kuq dhe Gjirin Aden.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme ajrore precize kundër depove të armëve në Jemen, në zonat që ndodhen në kontrollin e kryengritësve Houthi.
Lloyd Austin, Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka thënë se pjesë e këtij operacioni ishin aeroplanët e padukshëm bombardues B-2 të cilën kanë vënë në shënjestër despotë e fortifikuara nëntokësore ku kishte raketa dhe municione tjera të cilat ky grup i ka përdorë për të sulmuar anijet civile dhe ushtarake.
Televizioni Al-Masirah, që drejtohet nga grupi kryengritës ka thënë se në shënjestër ishin gjashtë caqe në dhe përreth kryeqytetit Sanaa, dhe dy tjera në afërsi të qytetit verior Saada. As autoritetet amerikane e as ky televizion nuk kanë raportuar për viktima eventuale.
Kryengritësit Houthi, që nga nëntori 2023, në vazhdimësi kanë sulmuar anijet komerciale në Detin e Kuq dhe në Gjirin Aden ku kanë fundosur 2, një kanë marrë nën kontroll dhe kanë vrarë edhe anëtarë ekuipazhi. Ata kanë deklaruar, rrejshëm, se në shënjestër kanë vetëm anijet që kanë lidhje me Izraelin, SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Houthit kanë thënë se po veprojnë në përkrahje të palestinezëve në luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.























